​Dodik: Republika Serbe ka bërë tashmë “non-paper”-in e vet

Anëtari serb

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Milorad Dodik deklaroi se Republika Serbe ka bërë “non-paper”-in e saj.

“Gjithçka është e shkruar, por nëse është modë, nuk bëj shaka, ne tashmë kemi bërë disa nga “non-paper”-at tona, kështu që një ditë, kur të vendosim, do t’ua dërgojmë gjithashtu të gjithëve”, u tha Dodik gazetarëve në Banja Lluka.

VIDEO:

Ai deklaroi se Republika Serbe është në Asamblenë Kombëtare për të zhvilluar një debat, për të krijuar dhe artikuluar platformën e saj për negociata me Federatën e BeH dhe boshnjakët dhe kroatët, si popuj përbërës, mbi atë që dhe si të bëhet në BeH.

Sipas tij, e gjithë kjo do të bëhet pa pjesëmarrjen e të huajve. Dodik përsëriti se do të vinte koha për një prishje paqësore në BeH, duke deklaruar se nuk ka asnjë element kohezioni në atë shtet që mund të sjellë së bashku popujt përbërës.

Sipas tij, ‘të huajt’ janë përpjekur për një kohë të gjatë për ta bërë BeH ashtu si dëshirojnë dhe në fund doli të ishte një eksperiment i padëshiruar.

Dodik deklaroi se dhjetë vjet më parë, askush, përveç Republika Serbe, nuk u lejua të përmendte referendumin ose të fliste për faktin që BeH duhet të shpërbëhej.

Duke vlerësuar se do të vijë koha për një ndarje paqësore në BeH, Dodik theksoi se serbët nuk kanë asnjë arsye për t’u mobilizuar drejt ndonjë opsioni lufte dhe se ata duhet të mblidhen rreth një politike ‘që do të japë forcë’.

Ndryshe, muajin e kaluar, Dodik përmendi shpërbërjen e Bosnjës, duke nxitur reagimin e përfaqësuesit të boshnjakëve Bakir Izetbegoviq, i cili tha se “nuk jam i sigurt se s’do të ketë luftë”, duke nxitur më tej tensionet në vend me njoftime të reja rreth kërcënimeve për luftë.

Një raund i ri diskutimesh nëse BeH do të mbijetojë si shtet u nxit nga këmbëngulja e Dodik për domosdoshmërinë e “ndarjes paqësore”, si dhe shfaqja e një dokumenti “non-paper”, i cili ofron një projekt për të ndryshuar kufijtë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë ndarjen e BeH në tri njësi të pavarura.

Një kopje e një dokumenti të tillë u botua nga një portal slloven, duke e lidhur atë me kryeministrin Janez Jansha, i cili refuzoi me forcë lidhjet me propozime të tilla.