​Haxhiu përshëndet burgimin e përjetshëm për kasapin e Bosnjës Ratko Mlladiq

Ministrja e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar pas burgimit të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mlladiq, duke thënë se ky është një lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vetë drejtësinë ndërkombëtare.

VIDEO:

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mlladiq, por edhe vetë Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi.

“Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu e ka quajtur të domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatitet padia për gjenocid ndaj Serbisë, në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre.