​Hoxhaj dënon sulmin ndaj djalit të Rashiq: Policia ta hetojë rastin dhe t’i arrestojë përgjegjësit

Kryetari i PDK-së

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka dënuar ashpër sulmin ndaj djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq.

VIDEO:

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka bërë thirrje që policia ta hetojë këtë rast dhe të arrestohen sulmuesit.

Ai ka thënë se ky është rasti i fundit, në një seri ngacmimesh të kryera kundër figurave të opozitës serbe në Kosovë.

“Unë e dënoj fuqishëm sulmin kundër djalit të politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq. Nxis policinë të hetojë këtë rast dhe të arrestojë ata që janë përgjegjës për këtë akt. Ky është i fundit, në një seri veprimesh ngacmimesh të kryera kundër figurave të opozitës serbe të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar sot tetë persona, në mesin e tyre edhe një të mitur, në lidhje me sulmin fizik ndaj djalit të ish-ministrit serb Nenad Rashiq. Sulmi është dënuar edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje Albin Kurti dhe ambasadori britanik Nicholas Abbott.