​Kurti: Lybeniqi paraqet gjenocidin e kryer ndaj popullsisë civile, Serbia nuk i ndjekë kriminelët

Kryeministri i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Lybeniqit të Pejës që ndodhi 22 vite më parë.

Kurti thotë se Lybeniqi paraqet gjenocidin e kryer ndaj popullsisë civile. Kryeministri Kurti në shkrimin e tij thotë edhe se Serbia në përgjithësi nuk i ndjek kriminelët e në veçanti disa prej përgjegjësve i afirmon lart në politikë e në shtet.

VIDEO:

“Java e fundit e marsit 1999 ishte përplot me vrasje e masakra të përditshme. Avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë në Prishtinë, Kryesindikalisti Agim Hajrizi e veprimtari i shquar Latif Berisha në Mitrovicë, masakrat në Krushë të Madhe e të Vogël, në Suharekë e në Izbicë e deri tek ajo në Lubeniq së cilës ia shënojmë përvjetorin sot. Lubeniqi paraqet gjenocidin e kryer ndaj popullsisë civile. Mbi 80 persona janë ekzekutuar në këtë vend, përfshirë këtu Muhametin e vogël vetëm 18 muajsh. Shumë krime ndaj nesh e aspak drejtësi për neve ndonëse u bënë 22 vjet që prej atëherë. Serbia në përgjithësi nuk i ndjek kriminelët e në veçanti disa prej përgjegjësve i afirmon lart në politikë e në shtet”, ka shkruar Kurti në ‘facebook’.

Kurti tha edhe se Kosova dergjet nga pasiviteti special i prokurorëve të saj.

“Kosova dergjet nga pasiviteti special i prokurorëve të saj dhe joefikasiteti edhe më special i gjykatësve të saj. Të paktën më 29 maj 2019 e patëm amandamentuar Kodin e Procedurës Penale për të mundësuar gjykimin dhe dënimin në mungesë të kriminelëve, por as kjo nuk po sjell rezultate sa duhet. Familjet në Kosovë vuajnë, pa adresim të së vërtetës, pa zhdëmtim, restaurim dhe rehabilitim që do t’ua sjellte sistemi i duhur i drejtësisë dhe strategjia e nevojshme e adresimit të së shkuarës”, thekson Kurit.

I pari i Qeverisë së Kosovës, thotë se 22 vite pas luftës diskutimi mbi të kaluarën s’do të duhej të ishte në pikën ku është.

Megjithëkëtë ai thotë se do të angazhohen që të bëjnë më të mirën për të mbyllur plagët e së kaluarës.

“22 vite pas luftës diskutimi mbi të kaluarën s’do të duhej të ishte në pikën ku është. Megjithatë, ne do të angazhohemi e të bëjmë më të mirën që mundemi e që dijmë për të mbyllur plagët e së kaluarës. Sepse vetëm ashtu mund të shikojmë qartë dhe ecim krenar kah e ardhmja. Ndryshe jo, shkruan Kurti.