​Lajçak: Takimet Kosovë-Serbi për dialogun duhet të prodhojnë rezultate pozitive

Emisari Special i BE-së Miroslav Lajçak, të enjten është takuar me kryeministrin  e vendit, Albin Kurti, me të cilin ka biseduar mbi vazhdimin e dialogut në Bruksel.

Diplomati sllovak në një prononcim për media tha se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por se dëshiron rezultat nga ky takim.

Por Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës, duke thënë se ai dëshiron që takimet Kosovë-Serbi të japin rezultate.

“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak.

VIDEO:

I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, diplomati sllovak tha se nuk dëshiron të spekulojë.

Në takim me Lajçakun, Osmani: Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë Në takim me Lajçakun, Osmani: Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë

“Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, tha Lajçak.

Ai tha se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me përgatitjet e plota për takimin e radhës në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo.

Lajçak sot është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, e cila përçoi mesazhin te diplomati sllovak se dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke Kosovës-Serbi.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët./Telegrafi/

The post ​Lajçak: Takimet Kosovë-Serbi për dialogun duhet të prodhojnë rezultate pozitive appeared first on Telegrafi.