​Mehaj vizitë në Britani, nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se sot me ftesë zyrtare udhëton për vizitë treditore në Mbretërinë e Bashkuar.

VIDEO:

Mehaj ka shkruar në Facebook se gjatë kësaj vizite, do të pritet nga ministrja e Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Goldie DL, me të cilën së bashku do të nënshkruajë memorandumin e bashkëpunimit bilateral të Mbrojtjes.

“Gjithashtu, do të takohem me autoritetet më të larta në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik. Pastaj do të vizitoj edhe Qendrën e Luftërave Tokësore, Qendrën e Trajnimit Taktik të Komandës dhe Shtabit, Shkollën e Armëve të Specializuara, Divizionin e Zbulimit dhe Taktikave, Qendrën e Koleksionit të Armëve të Këmbësorisë, ndër të cilat përveç takimeve me autoritetet udhëheqëse do të takoj edhe kadetët dhe oficerët tanë që janë aktualisht duke u trajnuar në këto qendra. Përkundër agjendës së ngjeshur, do të takoj edhe përfaqësuesit e diasporës sonë dhe stafit diplomatik në Mbretërinë e Bashkuar. Vizita në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e rëndësishme në procesin e ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së dhe dëshmon fuqishëm partneritetin shumë të fortë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar që do të intensifikohet edhe më shumë me Memorandumin e ri”, ka shkruar ai.

Së bashku më të fortë!