​Ministres serbe dhe një grupi të pelegrinëve i’u ndalohet hyrja në Kosovë

Darija Kisiq

Ministrja e Punës në Serbi, Darija Kisiq-Tepavçeviq, nuk është lejuar të hyjë mbrëmë në Kosovë.

VIDEO:

Këtë e bën të ditur nga e ashtuquajtura Zyra Serbe për Kosovën, duke shtuar se të gjitha procedurat për vizitën ishin përfunduar para se ajo të nisej për Kosovë.

Tepavçeviq kishte planifikuar të mbante një provim me studentët e vitit të tretë në Departamentin e Epidemiologjisë në Fakultetin e Mitrovicës së Veriut.

“Profesoresha Kisiq-Tepavçeviq njoftoi shkuarjen në pozitën e profesoreshës dhe jo në cilësinë e një ministreje. Sidoqoftë, autoritetet në Prishtinë sonte, pa ndonjë arsye, përmes oficerit të pikës kufitare e refuzuan atë të hynte në Kosovë”, thuhet në reagimin e të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën.

Për refuzimin e grupit të pelegrinëve nga kjo zyrë thonë se ishte pashpjegime.

“Në të njëjtën kohë, kërkesa e një grupi prej 39 pelegrinëve nga Serbia qendrore, të cilët donin të vizitonin disa kisha në Kosovë këtë fundjavë, u refuzua pa shpjegime. Kështu, vazhdon shkelja brutale e marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjeve për vizitat e rëna dakord dhe nënshkruar në Bruksel midis Beogradit dhe Prishtinës. Me politikën skandaloze të ndalimeve dhe barrierave, Prishtina, kush e di sa herë, demonstron angazhimin e saj anti-civilizim dhe e bën të qartë se kundërshton gjithçka serbe. Është e qartë se politikanët e Prishtinës, të udhëhequr nga Albin Kurti, nuk kanë një argument të vlefshëm me të cilin do të vijnë në tryezën e negociatave në Bruksel javën e ardhshme, kështu që tani ata po përdorin lëvizje të tilla që dëmtojnë drejtpërdrejt dialogun. Bashkimi Evropian, si garantuesi i marrëveshjeve të nënshkruara dhe ndërmjetëses në dialog, nuk duhet të heshtë në lëvizje të tilla të njëanshme nga Prishtina, dhe unë pres reagimin e tyre të qartë”, u tha në komunikatën e zyrës.