​Ndalohen për 48 orë 8 persona që morën pjesë në rrahjën e djalit të Nenad Rashiq

Prokuroria Themelore

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personat me inicialet C.Z., B.Z., M.R., D.N., M.J., D.T., L.K., dhe një të mitur, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

VIDEO:

Si pasojë e kësaj rrahje, personi me inicialet N.R., ka pësuar lëndime të rënda trupore, e cila gjendje është konstatuar nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Ndryshe, djali i ish-ministrit serb Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq është rrahur nga disa persona në Llapnasellë, me ç’rast ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Sulmi ndaj djalit të politikanit serb është dënuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, kandidati për kryeministër Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj dhe ambasadori britanik në Prishtinë Nicholas Abbott.