​Nis vaksinimi i personelit shëndetësor edhe në Prizren

Prizren

Vaksinimi kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, sot nisi edhe për profesionistët shëndetësorë të komunës së Prizrenit. Deri në mesditë në këtë komunë u vaksinuan 18 persona, por 1270 dozat e AstraZenecës të ofruar për stafin mjekësor të kësaj komune po konsiderohen të pamjaftueshme.

Shefi i vaksinimit për regjionin e Prizrenit, Arsim Morina tha se faza e vaksinimit që filloi sot po shkon mirë dhe se stafi mjekësor i Klinikës Infektive të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit janë vaksinuar të parët sot.

VIDEO:

Ai tha se në këtë komunë pjesë e personelit shëndetësor përfshihen 1344 persona, prandaj 1270 dozat e dhuruara për këtë komunë janë të pamjaftueshme. Por , Morina thotë se nga IKSHP ka marr zotimin se do furnizohet me doza të tjera me qëllim që të gjithë mjekët e kësaj komune të vaksinohen.

“Pas përgatitjeve të disa ditëve më përpara për procesin e vaksinimit me vaksinën kundër Covid-19, dje jemi furnizuar me 1270 doza nga IKSHP dhe planifikimet tona janë realizuar që sot të fillojmë aplikimin e kësaj vaksine kundër COVID-19. Kemi filluar me spitalin regjional gjegjësisht me Klinikën Infektive dhe me personelin tjetër të spitalit regjional. Deri tani kemi shkuar mirë për një orë e gjysmë janë vaksinuar 18 persona. Në komunën e Prizrenit në kujdesin parësor shëndetësor, në spitalin regjional të Prizrenit dhe në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik dhe atij Mendor dhe të gjitha klinikat private që operojnë në komunë kemi marr të dhëna për 1344 profesionistë shëndetësorë. Ne kemi marrë 1270 vaksina por kemi marr zotimin e IKSHP-së për furnizimin në plotë të te gjitha dozave”, tha ai.

Morina, i cili është kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, tha se tashmë kanë të dhënat e 5 mijë personave që janë mbi moshën 65-vjeçare dhe që kanë sëmundje kronike, dhe në momentin që furnizohen me dozat e mjaftueshme të vaksinës thanë se do i njoftojnë ata qytetar për vaksinim.

“Ne jemi të përgatitur për këtë çështje qysh para 1 muaji listën qe në muajin janar e kemi marrë nga MSH e kemi parë të rrugës ta shpërndajmë në të gjitha QMF-të në ambulantet e QMF-ve dhe të marrim të dhënat e 65-vjeçarëve e tutje me sëmundje kronike. Pra kemi numër mbi 5 mijë persona të dhënat e tyre dhe numrat e telefonit të secilit. Në momentin që furnizohemi me sasi të mjaftueshme ne do i ndërmarrim edhe hapat e tjerë të njoftimit”, tha ai.

Arsim Morina, i cili është personi i parë që u vaksinua në komunën e Prizrenit, tha se këtë veprim e ndërmori me qëllim që të heq dilemat rreth vaksinimit dhe t’i motivojë kolegët dhe prizrenasit për t’u vaksinuar.

Infermierja Shukrane Rexhaj thotë se zgjodhi të vaksinohej duke e ditë qe tash e sa kohë janë në vijë të parë të frontit me pandeminë. Apelon madje që të gjitha ta marrin këtë vaksinë.

“Pasi që jemi në vijën e parë të frontit unë vendosa sot të vij të marr këtë vaksinë, po ndihem shumë mirë dhe iu kisha rekomanduar të gjithë kolegëve të mi që sado kudo të kemi një mbrojtje dhe gjithë të vijnë ta marrin këtë vaksinë”, u shpreh ajo.

Dozën e parë të vaksinës anti-Covid e mori sot edhe pediatrja, Lindita Sokoli e cila u shpreh se fillimisht hezitoi për t’u vaksinuar por tani e mori pasi mendon qe është mbrojtja më e mirë nga koronavirusi.

“Në fund vendosa që më mirë është me marr (vaksinën) se mos me e marr. Patjetër me marr se e vetmja mënyrë për mbrojtje prej koronës është vaksina”, deklaroi ajo.

Vaksinimi kundër koronavirusit për profesionistët shëndetësor sot nisi edhe nëpër komunat tjera të Kosovës, derisa në kryeqytet që nga fillimi i javës ka nis vaksinimi me vaksinën AstraZeneca e cila në Kosovë arriti më 28 mars 2021.