“140 burra i vranë në Kodrën e Zallit” – Merret vendimi për shqiptarin e dyshuar për Masakrën e Izbicës

Gjykata Themelore

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për M.A. të dyshuar për pjesëmarrje në krime lufte kundër popullsisë civile në fshatin Izbicë, në vitet 1998-1999.

Sipas Gjykatës, i pandehuri M.A., më 28 mars të vitit 1999, së bashku me një grup me mbi 50 veta të forcave ushtarake policore serbe, kishin hyrë në fshatin Izbicë ku kishin bombarduar fshatin dhe kishin shkatërruar shtëpitë e civilëve.

VIDEO:

Civilët i kishin detyruar të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend, duke i kërcënuar i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës.

Mbi 140 burra i kishin grumbulluar në vendin e quajtur “Kodra e Zllit” dhe i kishin vrarë të gjithë.

“I pandehuri M.A. dyshohet se me datë 28.03.1999 rreth orës 07:00 së bashku me një grup i përbërë mbi 50 veta të forcave ushtarake dhe policore serbe, kishin hyrë në fashtin Izbicë, fillimisht e kishin bombarduar fshatin duke shkatërruar shtëpitë dhe pasurinë e civilëve dhe në këtë mënyrë i kishin detyruar civilët që të dalin nga shtëpitë dhe i kishin grumbulluar në një vend dhe me forcë dhe kërcënim i kishin detyruar gratë dhe fëmijët që të largohen duke i dërguar në drejtim të Klinës, ndërsa mbi 140 burra i kishin grumbulluar në një vend të quajtur ‘’Kodra e Zallit’’ dhe të njëjtit i kishin vrarë”, bëhet e ditur në njoftimin e Gjykatës.

Bazuar në këto të dhëna, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër M.A.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit M.A. për veprat penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile e paraparë dhe sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ) i cili ligj ishte në fuqi në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, vepër kjo e paraparë dhe e sanksionuar edhe me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës(KPRK-së) me nr. 06/L-074 Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.

“Të pandehurit M.A. gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, përkatësisht deri më datën 29.05.2021. Masa e paraburgimit të pandehurit M.A. i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1 dhe 2 pika 1.2.1 të KPPRK-së”, bën të ditur Gjykata.

Ndryshe, Express të mërkurën ka raportuar për arrestimin e M.A. dhe ka sjellë rrëfimin e një banori të Istogut i cili e kishte njohur të dyshuarin qysh prej kohës kur ishte fëmijë.