15 vjet nga vrasja me polonium të ish-agjentit të FSB-së, Rusia kurrë nuk nisi hetim dhe mohoi se e helmoi

Alexander Litvinenko

Ish-oficeri rus i inteligjencës Alexander Litvinenko vdiq në Londër më 23 nëntor 2006 pasi u helmua nga një përbërës i rrallë radioaktiv, polonium-210.

Hetuesit britanikë dhe evropianë fajësuan Kremlinin për vdekjen e Litvinenkos, duke shkaktuar një konflikt diplomatik midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe që ka vazhduar të përshkallëzohet deri më sot.

VIDEO:

Litvinenko shërbeu në ishKGB-në Sovjetike dhe pasardhesën e saj, FSB-në ruse, nga 1988-1998, i specializuar në antiterrorizmin dhe krimin e organizuar. Në vitin 1998 Litvinenko pretendoi se FSB-ja e urdhëroi atë dhe ekipin e tij të planifikonin vrasjen e Boris Berezovsky – një prej oligarkëve më me ndikim rusë.

Më vonë Litvinenko pretendoi se presidenti, Vladimir Putin, organizoi një seri sulmesh terroriste kundër qytetarëve rusë në fillim të viteve 2000 me qëllim që të provokonte një luftë të dytë në Çeçeni dhe të konsolidonte pushtetin e tij.

Në të njëjtin vit, prokurorët rusë akuzuan Litvinenkon për shpërdorim të pushtetit dhe posedim të paligjshëm të eksplozivëve. Litvinenko iku në Britani, ku iu dha azil politik në vitin 2001.

Ndërsa ishte në Mbretërinë e Bashkuar, Litvinenko botoi dy libra duke akuzuar FSB-në për korrupsion dhe aktivitete të tjera kriminale. Ai kishte punuar gjithashtu për MI6 dhe kishte bashkëpunuar me agjencitë e inteligjencës spanjolle dhe italiane.

Më 1 nëntor 2006, Litvinenko u helmua nga agjenti radioaktiv polonium-210 ndërsa pinte çajin e tij me një nga partnerët e tij të biznesit, Andrei Lugovoi. Disa javë më vonë ai vdiq në një spital në Londër. Në vitet e ardhshme Scotland Yard mblodhi prova që vërtetonin akuzën se Andrei Lugovoi helmoi Litvinenkon.

Në vitin 2021, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se Rusia ishte e përfshirë në vrasje dhe urdhëroi vendin të paguante 137,000 dollarë për të venë e Litvinenkos, Marina Litvinenko.

Kremlini mohoi përfshirjen e tij dhe nisi hetimin e vet, megjithëse prokurorët ende nuk kanë identifikuar një të dyshuar. Andrei Lugovoi u zgjodh në parlamentin rus në 2007 dhe mori çmimin “Shërbimet speciale për Atdheun” nga Vladimir Putin në 2015.

Që atëherë, ka pasur më shumë akuza se operativët rusë kanë helmuar kritikët e Rusisë, më së shumti ish-oficeri i inteligjencës ruse Sergei Skripal dhe vajza e tij në 2018 dhe Alexei Navalny në 2020. Autoritetet ruse kanë mohuar të gjithë fajin.

Pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Litvinenkos, historia e tij është bërë temë për libra, shfaqje teatrale dhe opera. HBO aktualisht është duke bërë një serial për ish-spiunin me Benedict Cumberbatch. ITV po punon gjithashtu në një serial për vrasjen e Litvinenkos; Litvinenko do të luhet nga David Tennant. /Ballkani.info/