A duhet Kosova të kërkojë garanci te shteti i tretë për lirim të ish-krerëve të UÇK-së?

ish-kreret

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Tauland Hodaj, vlerëson se institucionet e Kosovës nuk duhet të nisin lobimin për të kërkuar garanci në një shtet të tretë për lirimin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa pranuar kërkesë zyrtare për ndihmë nga avokatët mbrojtës të tyre. Ndërsa, ende nuk dihet nëse Presidenca apo Qeveria e Kosovës kanë pranuar ndonjë kërkesë të tillë apo jo.

Zyra për komunikim e Presidentes së Kosovës ka deklaruar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

VIDEO:

“Nuk ka ende asgjë, sapo të kemi diçka do t’iu lajmërojmë“, tha Bekim Kupina nga zyra për komunikim në presidencë.

Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Gjykata e Apelit në Speciale ka lënë një mundësi të vogël se si mund të ndodhë lirimi me kusht i ish-krerëve të UÇK-së apo gjykimi në liri në rast se garanton një shtet i tretë që nuk është në kufij me Kosovën.

Për avokatin e akredituar nga Gjykata Speciale, Tauland Hodaj Qeveria e Kosovës nuk mund të kërkojë garanci nga një shtet tjetër për lirimin me kusht për ish-krerët ushtarakë dhe politikë të Kosovës, pa pranuar kërkesë për ndihmë nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve. Pasi, siç tha, ai në të kundërtën kjo mund të konsiderohet si ndërhyrje në drejtësi.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmarr veprime të njëanshme pa koordinim me mbrojtjen e të akuzuarve nëse mbrojtja e të akuzuarve vlerëson që i duhet ndihma e Qeverisë së Kosovës për të marr një garancion nga një shtet i tretë besoj që aty është që duhet bashkëpunuar, prapë në mënyrë zyrtare duke bazuar në procedurë dhe prova. Por, nuk mundet dhe nuk është e duhur që Qeveria e Kosovës në mënyrë të njëanshme të fillojë dhe të lobojë për një garancion të tillë sepse në të kundërtën do të konsiderohet ndërhyrje në drejtësi dhe do t’u kthehej bomerang të akuzuarve”, u shpreh ai, për KosovaPress.

Por Hodaj shton se edhe qeverisë së Kosovës me ligj i lejohet kërkesa për lirim me kusht në Kosovë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, e ish-shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Por Hodaj e sheh më të rrugës kërkesën e mbrojtjes për garanci në një shtet të tretë pasi siç thotë shanset janë më të vogla që kërkesa për lirim me kusht në Kosovë të pranohet nga Gjykata Speciale.

“Kjo është një mundësi që në të ardhmen iu lë një derë të hapur të akuzuarve që me parashtrimet e tyre nëse arrijnë të bindin një shtet të tretë në këtë rast sepse ka qenë kërkesë të marrin një garanacion dhe t’i ofrojnë Gjykatës Speciale. Edhe Kosova në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe rregulloren e procedurave të provave parashihet lirimi me kusht në Kosovë. Por sipas mendimit tim mbrojtja nëse vlerëson se i duhet ndonjë garancion nga Kosova në rregull. Por nuk besoj që ka nevojë për garancion, sepse Gjykata Speciale ka autoritetin e vetë dhe ka policinë e vetë, të EULEX-it dhe të Kosovës që janë të detyruara urdhrat e tyre dhe mund të zbatojnë edhe nëse bëhet lirimi me kusht në arrest shtëpiak mund ta mbikëqyrin sepse i kanë institucionet e veta në Kosovë dhe nuk ka nevojë për garancion. Ndërsa në një shtet tjetër normalisht që ka nevojë për garancion sepse Gjykata Speciale nuk ka polici të vetën. Kosova është një shtet themelues dhe ligji ia lejon që edhe Kosova sepse parimisht lirimi me kusht do duhej të bëhej në Kosovë, por mbrojtja ka konsideruar më të mirë si argument në një shtet të tretë që shanset do të jenë më të mëdha për lirim me kusht sesa në Kosovë dhe besoj që mirë ka bërë sepse në Kosovë janë shanset e vogla që do lirohen. Mbrojtja ka kërkuar një shtet të tretë sepse ka menduar që mundet më lehtë me bind gjykatën”, tha ai.

E nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kërkojnë që institucionet e Kosovës të ofrojnë garanci për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka thënë se me këto veprime Gjykata Speciale po bënë lojëra politike karshi ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.