A u pyet Lista Guxo për ministrin e Shëndetësisë

lajmi i fundit

Në mbledhjen e 45-të të Qeverisë së Kosovës u miratuan disa projektligje, ministrat Hajdari e Peci flasin në konferencë për media.

Me një minutë heshtje për nder të 46 viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari filloi mbledhja e 45-të e Qeverisë.

Në emrin të tij e atë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Albin Kurti u shprehu ngushëllime familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi.

VIDEO:

E kur pjesa kushtuar aksidentit në Bullgari përfundoi, radhën e kishin diskutimet për 34 pika të rendit të ditës.

Gjatë kësaj mbledhje, Ekzekutivi dha dritën e gjelbër për projektligjet që prekin dikasterin e Bujqësisë dhe atë të Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë.

Në kuadër të kësaj, Qeveria ndau 1.7 milionë euro si kompensim i dëmeve nga fatkeqësitë natyrorë në bujqësi.

Ndërsa, me propozim të ministres Rozeta Hajdari, Qeveria e Kosovës e ka miratuar draftin e Koncept-dokumentit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Kjo e fundit, doli edhe në një konferencë për media, ku foli për reciprocitetin ndaj Serbisë, ku u shpreh se këto masa janë duke u vendosur gradualisht.

Në këtë konferencë për media, ministrja Hajdari u shoqërua nga kolegu i saj qeveritar, Faton Peci.

Ky i fundit përveq që prezantoj projektligjet e miratuara për dikasterin që ky udhëheq, foli edhe për zhvillimet në listën partiake që i përket.

I pyetur se a kanë marr pjesë zyrtarët e partisë së tij në diskutimet e shefit të Qeverisë për emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë, ai dha këtë përgjigje.

“Në pyetjen që parashtruat ka shumë pasaktësi, pasi që unë kam deklaruar që është në kompetencë të plotë të kryeministrit Kurti ky vendim”

Ani pse ministri Peci aludoi se me konsultime e ka pasur fjalën për ato që i bën Kurti brenda partisë, një gjë të tillë nuk e kishte deklaruar edhe në konferencën e 10 nëntorit kur u pyet për të njëjtën temë.

“Se cili do të jetë ministri i ri do ta vendos kryeminsitri, por ne pashmangshëm si pjesë e koalicionit do të jemi pjesë e konsultave”, kishte deklaruar Peci.

Ministër i ri i Shëndetësisë është emëruar kirurgu me famë botërore Rifat Latifi, ndërsa një emër që është raportuar në media për këtë pozitë ka qenë edhe ai i Haxhi Avdylit.

Videon mund ta shihni duke klikuar KËTU.