Abrashi: VV synon të ndërlidhë Kuvendin me procesin e dialogut

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, thotë se seanca e thirrur për të premten nga Qeveria e Kososvës, për të diskutuar lidhur me marrëveshjet e deritashme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, është bërë me qëllim që të ketë ndërlidhje të Kuvendit me procesin e dialogut, transmeton Insajderi.

Abrashi këtë “ndërlidhje” midis Qeverisë dhe Kuvendit e ka konsideruar të domosdoshme.

VIDEO:

“Lëvizja Vetëvendosje është shquar në skenën politike si kritikuese e formës se si është bërë dialogu deri tani. Pothuajse i gjithë rrugëtim i yni politik ka qenë i bazuar në kritikën e klasës së atëhershme me mënyrën si e kanë trajtuar këtë proces. Ka ndryshim të realitetit politik në Kosovë. Kemi rastin që ne ta ideojmë këtë qasje të dialogut si palë, si Kosovë, në mënyrën dhe principet që besojmë. Ndër to është ndërlidhja e Kuvendit me tërë këtë proces. Siç ka paralajmëruar Kurti para çdo takimi do të konsultohet me akterët opozitarë e më pas në mbledhje të Kuvendit do t’i dëgjojë vërejtjet, kritikat e sugjerimet e deputetëve. E konsideroj si konsistencë në fjalën e dhënë, por edhe të domosdoshme sepse ndërlidhet mes Qeverisë dhe Kuvendit”, ka thënë ai në “Desku” të KTV-së.

Sipas tij, një ndërlidhje e Kuvendit me Qeverinë për dialogun me Serbinë “është jetike që Kosova të dalë sa më mirë”.

Abrashi ka shtuar se s’pret që në fund të diskutimit të ketë rezolutë për çështjen e dialogut, por nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë diçka të tillë. /Insajderi.com