Adnan Rexheplar pranon detyrën e zëvendësministrit të Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj priti sot, në ditën e parë të punës, zëvendësministrin e ri të Mbrojtjes nga radhët e komuniteteve jo shumicë, respektivisht atij boshnjak, Adnan Rexheplar.

VIDEO:

Në pritje ishin të pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe shefja e Kabinetit të Ministrit, Agime Gashaj. Me këtë rast Ministri Mehaj i dëshiroi mirëseardhje zëvendësministrit Rexheplar, të cilin e njoftoi me objektivat e përgjithshëm të tij për të ardhmen dhe shprehu vullnetin e plotë për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë gjatë udhëheqjes së tij.

Ndër të tjera ai dhe gjeneral Rama e vlerësuan shumë të rëndësishëm rolin e zv.ministrit Rexheplar edhe në zbatimin e politikave të procesit të integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Forcën e Sigurisë të Kosovës.

Nga ana e tij, zëvendësministri Rexheplar, falënderoi ministrin Mehaj dhe gjeneral Ramën për pritjen dhe gatishmërinë për ta përkrahur gjatë kryerjes së detyrave nga pozita e tij. Ai u zotua se me të gjitha kapacitetet dhe përvojën e tij politike, intelektuale dhe profesionale do të angazhohet në realizimin e të gjitha objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.