Aktorja 10-vjeçare e cila ishte zëri i kukullës së famshme të “Squid Game” thotë se prindërit nuk e kanë lejuar ta shikojë serialin

Aktorja e “Squid Game”, 10-vjeçarja e cila ishte zëri i kukullës “Red Light, Green Light” thotë se prindërit e saj nuk e lejuan ta shohë serialin hit të Netflixit, për shkak se ajo është shumë e re për skenat e dhunshme të tij.

Ajo portretizoi kukullën e tmerrshme “Red Light, Green Light” në dublimin në gjuhën angleze të “Squid Game”, shkruan DailyMail.

Por pavarësisht se njihet nga miliona fansa në mbarë botën, aktorja 10-vjeçare Reagan To ende nuk e ka parë hitin e frikshëm të Netflixit.

VIDEO:

“Nuk kam parë asnjë prej tyre”, tha To, e ftuar në emisionin “The Morning Show” të martën.

Ajo arriti të dëgjojë zërin e saj në një skenë ‘pikërisht përpara se të fillonte dhuna’, por nëna e saj e fiku papritur televizorin.

Skena në fjalë, në të cilën Reagan bëhet zëri i një kukulle gjigante që mbikëqyr një lojë vdekjeprurëse për fëmijë, paraqet numrin më të lartë të vrasjeve në serial, ndërsa garuesit humbës vriten pa mëshirë.

“Edhe vëllai im – ai është 14 vjeç – prindërit e mi nuk e lejojnë as atë ta shikojë atë”, tha To.

Intervista vjen pasi Chrissy Teigen u kritikua se ishte veshur si i njëjti personazh ndërsa organizonte një festë të frymëzuar nga “Squid Game” për miqtë e saj VIP javën e kaluar.

“Squid Game” përndryshe është seriali më i shikuar ndonjëherë në platformën Netflix në mbarë botën.

Seriali trajton temën e qindra njerëzve të rrënuar financiarisht dhe me jetë depresive, të cilët i futen një gare vdekjeprurëse për një çmim marramendës, të cilin vetëm njëri mund ta fitojë – dhe të gjithë humbësit e paguajnë me jetë humbjen. /Telegrafi/

The post Aktorja 10-vjeçare e cila ishte zëri i kukullës së famshme të “Squid Game” thotë se prindërit nuk e kanë lejuar ta shikojë serialin appeared first on Telegrafi.