Albulena Haxhiu tregon se cilët janë të parët që do t’i nënshtrohen Vettingut

Ministrja e Drejtësisë

Albulena Haxhiu u kthye në krye të Ministrisë së Drejtësisë edhe në Qeverinë Kurti 2.

VIDEO:

Ashtu si në Qeverinë Kurti 1 ku shërbeu në krye të kësaj ministrie, ajo e ka vendosur Vettingun si prioritet të cilin shpreson se do ta përfundojë brenda mandatit të dytë qeverisës.

Haxhiu në një intervistë nuk e ka mohuar mundësinë që mund të bëhen ndryshime kushtetuese për ta realizuar këtë proces.

“Grupi punues pas përfundimit të koncept dokumentit do të dalë me përfundime. Nëse shkohet me ndryshime kushtetuese, atëherë për shkak të vështirësive në kalimin e amendamentit duhet të ketë edhe plan B”.

Drejtuesja e dikasterit të drejtësisë në ekzekutiv ka thënë se të parët që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit do të jenë prokurorët dhe gjyqtarët e niveleve më të larta.

“Synimet tona janë që të nisim me nivelet e larta hierarkike dhe të vazhdohet tek nivelet më të ulëta të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Grupi punues do ta përcaktojë nëse duhet të verifikohet edhe stafi mbështetës i prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha ajo për klankosova.

Haxhiu në këtë intervistë ka bërë gjithashtu të ditur se gjatë ditës së sotme do të themelohet grupi punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.