Ambasadori britanik reagon pas rrahjes së djalit të Nenad Rashiq: Të gjenden shpejt iniciuesit dhe kryesit e veprës

Nicholas Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka dënuar rrahjen së djalit të ish-ministrit Nenad Rashiq.

Ai ka kërkuar nga Policia që të gjejë sa më shpejt fajtorët derisa ka thënë se aktet të tilla janë të papranueshme pavarësisht kundër kujt ndodhin.

VIDEO:

“Lajmi për sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiq është i neveritshëm çfarëdo qoftë motivi. Kësi lloj i dhunës, çoftë fizik apo verbal, është i papranueshëm kundër kujtdo, bur por është veçanërisht më shokues që i ka ndodhur një personi të ri. Kërkoj nga Policia e Kosovës që të hetojnë incidentin shpejt dhe të gjejë ata që kanë iniciuar dhe kanë marrë pjesë në incident”, ka thënë ai.

Djali i ish-ministrit Nenad Rashiq është rrahur sot para shkollës ku ai vijon mësimin në fshatin Llapnasellë të Graqanicës. Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka shoqëruar 8 persona, prej tyre njëri i mitur.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmetaj ka konfirmuar rastin.

“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën  për një rrahje në progres në afërsi të shkollës në Llapnasellë, ku kanë qenë të përfshirë disa persona.  Me të marrë informatën njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin  e ngjarjes. Bazuar në  informacionet e para dyshohet se një person mashkull , ka pësuar lëndime  dhe i njëjti është dërguar  për trajtim mjekësor”, ka thënë ajo.

“Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i  mitur). Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.”, shtoi Ahmetaj.

Djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, raportohet se është rrahur teksa po dilte nga shkolla në Llapnasellë të Graçanicës.

Sipas informacioneve të para ai është sulmuar nga një grup personash, të cilët thuhet se kanë pasur me vete edhe mjete të forta.

Gazeta Express ka kontaktuar me Nenad Rashiq, por i njëjti tha se nuk mund të flasë pasi është “duke u marrë me rastin e djalit”.