Ambasadori gjerman duartroket LDK-së, pas vendimit që të marrin pjesë në votimin për presidentin

<!–

–>

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde e ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të marrë pjesë në procesin zgjedhor për presidentin e ri.

VIDEO:

Ai përmes një postimi në “Twitter”, ka thënë se shpreson që të gjithë deputetët të vendosin interesin e qytetarëve mbi interesin politik.

Më tutje ai tha se nuk e imagjinon që vendi të shkojë në zgjedhje sërish në këtë kohë pandemie.

“E lavdërueshme që LDK do të marrë pjesë në procesin zgjedhor për një president të ri. Shpresojmë që të gjithë deputetët e zgjedhur do të ndjekin këtë shembull dhe vendosin nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi ato politike. Unë nuk mund ta imagjinoj mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mes të valës së pandemisë…”, shkruan Rohde në Twitter.

Në ndërkohë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dje pas takimit me grupin parlamentar të partisë, ka deklaruar se LDK-ja do të marr pjesë në procesin e votimit të presidentit.

Ai deklaroi se shpreson që deputetët të respektojnë vullnetin kolektiv të shumicës.

“Pas një diskutimi të hapur, shterrës në argumente e gjithëpërfshirës, të gjithë, bashkarisht, kemi marrë vendim që Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e Presidentetit të vendit. Që LDK, si gjithëherë, do të ushtroj detyrimin e saj kushtetues, e të marrë pjesë në votim për Presidentin e vendit. Ky pra është vendimi i Kryesisë i votuar me shumicë absolute të anëtarëve të saj. Këtë vendim ua kam komunikuar sot, deputetëve të LDK-së. Pres që secili deputet të respektojë vullnetin kolektiv e të shumicës. Pres nga secili deputet të sillet si institucionalist; dhe nëse ka nevojë të kapërcejë edhe veten”, ka thënë Abdixhiku.