Arrijnë 30 mijë vaksina donacion nga Turqia në Maqedoni të Veriut

Sot në Maqedoninë e Veriut kanë arritur 30 mijë vaksina nga kompania kineze “Sinovak”, të dhënë donacion nga Turqia, njofton Insajderi.

Këtë e bëri të ditur me anë të një njoftimi në Facebook, Ministri i Shëndetësisë së këtij vendi, Venko Filipçe.

VIDEO:

“Sot, 30.000 vaksina “Sinovak” mbërritën si një donacion nga Turqia mike. Edhe një herë, unë dua të shpreh mirënjohjen time për Republikën e Turqisë dhe Presidentin Rexhep Tajip Erdogan për mbështetjen e tyre, por mbi të gjitha, për shpërndarjen e shpejtë të sasisë së premtuar, e cila është shumë e rëndësishme për ne”, ka shkruar Filipçe.

“Vaksinat do të shpërndahen në pikat e vaksinimit në të gjithë vendin sa më shpejt të jetë e mundur”, shkruan më tej ai.

Filipçe tha se deri më tani në nivel të shtetit fqinj janë aplikuar 410.711 doza të vaksinave. /Insajderi.com