Arrin kontigjenti i parë i vaksinave të ‘AstraZenecas’ në Serbi

Kontigjenti i parë me 150 mijë doza të vaksinës anti-COVID, i kompanisë ‘AstraZeneca’, ka arritur në Serbi në mëngjesin e së dielës, transmeton Insajderi.

Pritjen e aeroplanit me këto vaksina që ateroi në Aeroportin e Beogradit “Nikolla Tesla”, e bëri presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili më pas tha se sigurimi i këtyre vaksinave është mundësuar nga bisedimet trepalëshe në mes të Serbisë, Britanisë së Madhe dhe Indisë.

“Faleminderit për mbështetjen e Serbisë dhe për mundësinë që të importojmë nga India. Ky moment është me shumë rëndësi për ne,” ka thënë Vuçiq.

VIDEO:

Ambasadorja britanike, Sian McLeod, e cila poashtu ishte e pranishme në këtë pritje, ka thënë se është e lumtur që sheh arritjen e vaksinave të kompanisë ‘AstraZeneca’ në këtë shtet.

“Vaksinimi i botës do të thotë punë globale. Unë pres që këto vaksina të jenë në dispozicion në gjithë botën së shpejti,” është shprehur ajo.

Ndërsa, Vijay Kumar nga ambasada e Indisë, ka thënë se Serbia është vendi i parë në rajon që siguron këto vaksina të prodhuara në Indi.

“Kryeministri indian Narendra Modi ka thënë në disa raste që India do t’i bëjë kapacitetet e saj të prodhimit, të disponueshme edhe për vendet e tjera,” ka deklaruar mes tjerash Kumar.

Vuçiq ka njoftuar edhe se Serbia pritet të sigurojë vaksinat tjera kundër Coronavirusit, përmes mekanizimit ndërkombëtar COVAX, në fund të marsit ose fillim të prillit.

“Por para se të vijnë vaksinat nga programi COVAX, ne sigurisht që do të vaksinojmë dhe rivaksinojmë 1.1 ose 1.2 milion njerëz. Kjo përbën 20 për qind e popullsisë së rritur “, ka thënë ai. /Insajderi.com