Arton Humolli me “APOCALIPSA”, fitues i çmimit “Fotografia më e mirë e vitit” në festivalin New York Nil Gallery

Thënia se fotografia flet më shumë se një mijë fjalë, këtyre ditëve u vërtetua edhe në Galerinë Nile të Nju Jorkut (NYNG), ku fotografi i njohur nga Prishtina fitoi çmimin e parë për fotografinë e titulluar “APOCALIPSA”

Kjo galeri është një nga platformat kryesore të fotografëve ndërkombëtarë, që mishërojnë diversitetin, inovacionin dhe kreativitetin e krijuesve, ndërsa në konkurrencë ishin 1235 konkurrentë.

NYNG-u u jep artistëve një platformë origjinale për të shprehur imagjinatën dhe vizionin e tyre për të afirmuar fotografinë në nivelin më të epërm artistik, gjithnjë duke u bazuar në përvojat dhe vëzhgimet personale.

Galeria NEW YORK NIL GALLERY është një ngjarje globale industriale online dhe për çdo vjet, i ofron publikut projekte duke ia prezantuar atij arritjet më të reja në këtë fushë të artit.

VIDEO:

Përmes kësaj fotografie Humolli, sikur sheh gjithçka që dëshiron të zbulohet dhe gjithçka që dëshiron të mbetet enigmë, transmeton Telegrafi.

Fotografia tek Arton Humolli krijon çaste medituese duke i mbetur besnik frymëzimit vetanak, por duke mos refuzuar asnjëherë kureshtjen krijuese dhe dritëhijet nëpër kohë.

Edhe kjo fotografi, dëshmoi për të saten herë thënien e fotografit të parë shqiptar, përtej Atlantikut, Gjon Mili, i cili thoshte: “Nuk mund të quhet i civilizuar një popull i cili e deshifron pikturën, por ai që arrin ta deshifroj fotografinë”.

Arton Humolli si përfaqësues i gjeneratës së mesme të artistëve të fotografisë shqiptare, ka kohë që ka bërë emër jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve nacionalë.

Opusi krijues i tij trajton shumë tema, duke filluar nga fotografia e modës e deri tek portreti, nudo dhe fotografia artistike.

Në krijimtarinë e tij të larmishme veçohet afiniteti i tij, sidomos për kujdesin ndaj dritës, veçanërisht asaj artificiale, por me një kujdes të madh lidhur me përsosmërinë e teknikës gjatë realizimit të fotografisë.

Humolli, me fotografitë e tij ka depërtuar madje edhe në revistën prestigjioze parisiene PHOTO, duke fituar në një konkurs të hapur nga redaksia e saj (“Le Plus Grand Concours Photo du Monde”, 2020,) e pastaj kishte patur një paraqitje edhe në njërin nga numrat vijues të kësaj magazine fotografike.

Kur i shikon portretet e realizuara nga Artoni, e kupton peshën serioziteti, potencën krijuese të kornizuar si dhe interesimin intuitativ që e bën diferencën nga fotografët e tjerë.

Vlen të theksohet se puna e Arton Humollit është pasqyruar edhe në shumë ekspozita, qoftë individuale, por edhe kolektive, brenda dhe jashtë vendit, sikurse ishte rasti me ekspozita e tij individuale të titulluar “Trup e shpirt” në Tiranë (Galeria Kombëtare e Arteve), 2015 dhe realizimi i dokumentarit “Rrugëtim prej Kampioni”, i cili ishte mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Mbi këtë taban, brezi i ri i fotografëve të rinj të talentuar, lypset të jetë më kërkues dhe të eci me sigurinë e atij që hedh hapin e vet në një rrugë të shtruar nga të tjerët. /Telegrafi/

 

The post Arton Humolli me “APOCALIPSA”, fitues i çmimit “Fotografia më e mirë e vitit” në festivalin New York Nil Gallery appeared first on Telegrafi.