“Atë ditë kiametin e kam parë me sy”, Milazim Thaçi rrëfen për masakrën e Izbicës

Milazim Thaçi

“Atë ditë kiametin e kam parë me sy, bërtitshin fëmija e gratë”, kështu ka rrëfyer Milazim Thaçi i mbijetuari i masakrës së Izbicës.

Ai thotë se serbët e kanë vrarë, por që Zoti e ka shpëtuar për të treguar për viktimat e kësaj masakre.

VIDEO:

Kështu ai edhe fillon rrëfimin për këtë masakër.

“Të shtunën kemi qenë në Izbicë, atë ditë na kanë thënë t’i qesim traktorët në livadh. Atë natë kish qenë nata e Kurban Bajramit dhe na ka bërë havëll një grua ku qëndronim ne. Aty na ra me flejt atë natë.  Në mëngjes na kishin rethuar serbët. Deshi Zoti që djemtë e ri ikën të shtunën dhe mbetëm disa pleq, gra e fëmijë. Ne pastaj i kemi bajtur nga 60 traktora deri në livadh. Kur i kemi qit fillum me ngrënë bukë aty. Duke ngrënë bukë erdhën 3 serbë. Unë ju thash se dua të shoh se çfarë po thonë. Kur shkova ma bënë me dorë hajde jepna 1 mijë marka. Ju thash nuk kam. I nxjerra 50 marka, ju thash merrni këto, më thonin qit qit, unë ju thosha s’kam. Aty gratë që ishin nxorën para sa kishin dhe ua dhanë”, ka treguar ai ne t7.

Por me kaq nuk mbeti ajo ditë.

Serbët i mblodhën të gjithë banorët që ishin aty.

“Aty e pash kiametin”, vazhdon rrëfimin Thaçi.

“Aty kiamet kam parë. Bërtitshin fëmija bërtisnin gratë. Unë e kam ditur se do të na vrasin. Komandanti i tyre erdhi dhe u tha serbisht ejani këtu, të gjithë e dini punën tuaj dhe nisjani menjëherë. Serbi tha ngrituni në këmbë. Kthehuni majtas dhe ecni arës përpjetë. Aty na vunë rresht nga dy. Grupa e parë kishim qenë 33 persona. Na thanë se juve duam të ju dërgojmë në Pejë dhe të tjerët në Klinë. Aty njëri na ka bërtit ndaluni, kthehuni majtas. Si ka thënë uluni në gjunjë kanë shtënë 3 herë me mitraloz. Nuk e di a më ka rënë të fikët mua a çfarë, vetëm unë i kam pas dy kufoma përmbi. Ka qenë Ukë Thaçi dhe Isuf Zeqaj. Ata dy i kam mbajtur unë së paku 40 minuta”, ka treguar ai.

Thaçi ka rrëfyer se njëjtë serbët kanë vepruar edhe me dy grupet tjera të njerëzve.

“Grupën e dytë e kanë sjell 20 metra para neve dhe grupin tjetër 20 metra mbi ne”, ka rrëfyer ai.