Babai i Agon Musliut: “Kanë tentu me ma mbyllë gojën, por do të kërkoj drejtësi deri në frymën e fundit”

Naim Musliu, babai i djaloshit, Agon Musliu, i cili ka vdekur në Qendrën Studentore teksa ishte në karantinë, ka akuzuar politikanët se kanë tentuar “t’ia mbyllnin gojën”, përcjell Insajderi.

Ai ka shpërthyer në lot gjersa ka kërkuar drejtësi për djalin e tij, në një emision në Kanal10.

VIDEO:

“Djali jem më përket mua si prind dhe nënës së tij, familjes Kosovës, nuk po kërkojmë diçka tjetër përveç se drejtësi”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, dikush me qëllime të këqija e ka drejtuar të birin e tij nga aeroporti deri tek Qendra Studentore për të bërë vetëvrasje.

“Kush e devijoi djalin tem prej aeroportit të shkojë. Nuk ishte Agoni për karantinë, dikush me dashje, me qëllime të këqija e drejtuan djalin tim drejt vdekjes. Kanë tentu me ma mbyllë gojën, tash sa ka ndiku që të mos kem një përkrahje, unë kam pasë përkrahje, me përkrahjen e studentëve është bërë pllakata”, ka deklaruar Musliu.

Duke u shprehur i mërzitur, Musliu ka thënë se nuk do të ndalet deri në zbardhjen e drejtësisë.

“Boll kam pritë se mos po zbardhet ky rast, por siç po e shoh nuk do të ketë drejtësi për djalin tem në këtë vend. Derisa ta kam frymën e fundit do të jap maksimumin për zbardhjen e drejtësisë për djalin tem. Të zbardhet gjithçka që ndodhi prej aeroportit deri në fund të jetës së djalit tem”, ka përfunduar babai i Agonit.

Agon Musliu, 26 vjeçar, më 3 maj 2020, vdiq derisa po qëndronte në karantinë në Qendrën Studentore në Prishtinë, duke u hedhur nga kati i katërt. /Insajderi.com