“Babain ma ka mbyt në shtrat, më ka plagos mua dhe njerkën”, djali i viktimës kundërshton dënimin e vrasësit me 25 vite burgim

Col Imeraj

Col Imeraj është dënuar me 25 vjet burgim pasi ka pranuar se në korrik të 2020-ës e ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 22 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vjet burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim.

VIDEO:

Mark Mula, djali i viktimës i cili ishte plagosur ditën kritike, në një lidhje direkte në emisionin “Frontal” në T7, tha se familja është tronditur me dënimin, teksa shton se kanë pritur burgim të përjetshëm për vrasësin.

“Në Kosovë është një drejtësi shumë e prishur e korruptuar. Është tmerr kur është një vrasje e rëndë, një tentim vrasje, një vrasje në tentativë dhe djali nën moshën 9 vjeçare e ka parë gjithë atë krim makabër, nuk është i cekur nga prokurori i shtetit Ali Uka. Prokurorin e kuptoj se gjatë ngritjes së aktakuzës ka bë shumë gabime dhe s’ka ditë çka ka shkruar, por nuk e kuptoj gjykatësin Drilon Haraçia. Nuk më kanë ftu asnjëherë mem marrë në pyetje….Nuk jam ftuar nga gjykata se e ka pranu aktakuzën dhe nuk ki drejt me folë, si nuk kam drejt me folë…Këtu janë bë shkelje nga fillimi deri në përfundim, por ta shohim çka po vendos Gjykata e Apelit”, tha Mula.

“Ne si familje jemi shumë të tronditur me këtë dënim”, u shpreh ai tutje në “Frontal”.

Ai tregoi se ishte ndjekur për t’u vrarë nga vrasësi.

“Kemi pritë dënim me burg të përjetshëm, ku ka kqyre me shfaros komplet familjen. Babain e ka mbyt në shtrat, mua më ka lënë në gjendje shumë të rëndë, ma ka plagos gruan e babait. Vëllai I vogël ka qenë i fshehur nër kaquq se nuk i dihet edhe atë e kish mbytë, mua më ka ndjek 150 metra rreth e rreth oborrit mem mbytë, kam qenë i plagosur. Këtë krim e ka kry mik i joni, e kemi mbajt në shpi me buke më gjitha të mirat”, u shpreh ai më tej.

Ai ka thënë se familja akoma është me trauma.