Babë e bir shpallen të pafajshëm për akuzën se me paratë e shitjes së narkotikëve kishin blerë dy banesa

Trupi gjykues

Trupi gjykues i Departamentit Special, i kryesuar nga gjyqtarja Albina Shabani- Rama, ka shpallur aktgjykim lirues në rastin ku babë e bir, Shahadin dhe Sefer Hasani, po akuzohen për shpëlarje të parave.

Gjykatësja Shabani-Rama ka bërë një elaborim të shkurtër të aktgjykimit në fjalë, ku tha se trupi gjykues ka vlerësuar dhe shqyrtuar provat në shqyrtim gjyqësor një nga një, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, trupi gjykues pas vlerësimit të provave ka ardhur në përfundim se me këto prova nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale ashtu siç ngarkohen në aktin akuzues, prandaj edhe ka vendosur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi

VIDEO:

“Në bazë të deklaratave të dëshmitarëve, administrimit të provave materiale e duke i vënë në theks të veçantë raportit të kontrollit të ATK-së, si dhe dy ekspertizave financiare, trupi gjykues nuk ka mundur të vërtetojë përtej dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohet”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo është deklaruar edhe lidhur me pretendimet e prokurorisë së të pandehurit kanë blerë banesë, me të holla që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

“Lidhur me pretendimin e prokurorisë se të pandehurit kanë blerë banesa të përshkruar si në aktin akuzues me të holla që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal, të pandehurit gjatë procedurës gjyqësore, gjykatës dhe prokurorisë i kanë ofru dëshmi dhe prova se të hollat i kanë siguruar në mënyrë të ligjshme nga bizneset të cilat i posedojnë, nga të ardhurat të cilat i fitojnë nga të ardhurat e tyre, nga dhurata që e kanë fituar nga gjyshja e tyre si dhe nga kredi”, ka thënë ajo.

Gjykatësja ka thënë se gjatë procedurës, gjykata këto pretendime i ka vërtetuar edhe në proces gjyqësor.

“Fillimisht ka dërguar do të thotë sipas propozimit të prokurorisë ATK dhe inspektorët hetues kanë bërë një verifikim në kontroll të bizneseve të pandehurve në fjalë dhe duke përfshirë do të thotë edhe kontrollin në teren, duke përfshirë librat e shitjes, blerjes, llogarive bankare, kuponave dhe faturave. Pastaj, gjykata ka vlerësuar edhe deklaratën e gjyshes të noterizuar pranë noterit në Prizren se e njëjta i ka fal në formë të dhuratës të pandehurit Sefer një vlerë të shumës prej 30 mijë euro. Këtë deklaratë të saj të noterizuar, gjykata e ka vërtetuar edhe para trupit gjykues, ku e njëjta është ftuar të dëshmojë”, ka thënë ajo.

Kurse, ka deklaruar se në anën tjetër, prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë që e vërteton të kundërtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbi bazën e këtyre të dhënave, të cilat janë vërtetuar që janë të ligjshme dhe të rregullta nga eksperti financiar është bërë vlerësimi i tërësishëm i të ardhurave nga të pandehurit dhe nga zbritja e shpenzimeve për jetesë dhe pagesë të kredive është vërtetuar se të pandehurit në fjalë, totali i të ardhurave të tyre është rezultat i të ardhurave nga burime të ligjshme dhe se të gjitha të ardhurat janë të arsyetuara dhe se këtyre të ardhurave të pandehurit në fjalë po t’i zbriten shpenzimet e jetesës dhe kreditë, mbetet se kanë pasur potencial të mjaftueshëm e të ligjshëm financiar për të blerë banesat në fjalë”, ka thënë gjyqtarja Shabani-Rama.

Sipas saj, gjykata vlerëson se përgjegjësia penale duhet të provohet, askush nuk mund të shpallet fajtor në bazë të supozimeve pa pasur prova të drejtpërdrejta, e të cilat do të përshkruanin me saktësi ekzistimin e fakteve përkitazi me kryerjen e veprës penale.

“Pra, mëdyshjet lidhur me ekzistimin e fakteve për çështjen interpretohen në favor të pandehurve. Mbi këtë bazë gjykata edhe i ka shpall të pafajshëm”, tha në fund e njëjta.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Shahadin dhe Sefer Hasanit e ka ngritur më 3 maj 2019, të cilët i ngarkon me veprën penale ”shpëlarje e parave”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shahadin Hasani, gjatë vitit 2015, me paratë që i kishte fituar me aktivitet kriminal, i cili ishte ndërlidhur me vepra penale të narkotikëve, kishte blerë banesë që sipas prokurorisë gjendet në Prizren, me sipërfaqe 68 m2, në vlerë prej 59,600.00.

Ndërkaq, i akuzuari Sefer Hasani, po dyshohet se me paratë që i kishte fituar me aktivitet kriminal kishte blerë banesë sipas kontratës mbi bashkimin e mjeteve për ndërtimin e banesave, nënshkruar nga SHPK Ndërmarrja “Ramiz Sadiku”, që gjendet në lagjen “Lakrishte”, në sipërfaqe prej 67.80 m2, me çmim në vlerë 44,070.00 euro, si dhe kompensim një veturë në vlerë 20.000 euro.