Bahtiri tregon arsyen që e çoi në shkarkimin e drejtorit të Arsimit

Agim Bahtiri

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Arsimit në atë komunë, Ismet Ferizin.

Bahtiri është sqaruar për këtë rast, teksa tha se u bë për shkak se Ferizi kishte thënë “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet në arsim”.

VIDEO:

Bahtiri u shpreh se për të diskriminimi në baza fetare është i papranueshëm dhe i patolerueshëm.

Kryetari po ashtu njoftoi se sot ka miratuar përzgjedhjen e drejtorëve të rinj, të cilët janë rekomanduar nga komisioni.

Njoftimi i plotë:

Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Ismet Ferizi, e kam liruar nga detyra për shkak se ai takim zyrtar në Ministrinë e Arsimit me ministren, Arbërie Nagavci, ka thënë: “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet në arsim”. Pas këtij deklarimi skandaloz të njëjtin e kam larguar nga takimi.

Ky diskrimin në baza fetare për mua ka qenë i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ku për pasojë më është dashur të marrë veprimin e lirimit nga detyra, pasi që ai nuk ka reflektuar në qëndrimin e tij edhe pas këtij takimi.

Përndryshe, Drejtori i Arsimit nuk ka asnjë komptencë dhe përgjegjësi për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, pasi që përzgjedhjen e tyre e bën komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës.

Ndryshe, sot kam miratuar përzgjedhjen e drejtorëve të rinj, të cilët janë rekomanduar nga komisioni. Kjo dëshmon se pretendimet për ndërhyrje në këtë proces nga unë, kanë qenë shpifje ndaj meje si kryetar komune.

Suksese drejtorëve të rinj të shkollave në punën e tyre.