Basha e quan 25 prillin “masakër elektorale”, Rama thotë se nuk e ka prioritet luftën politike

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, i ka quajtur “masakër elektorale” zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në këtë vend, ku fituese doli për herë të tretë Partia Socialiste me në krye Edi Ramën, njofton Insajderi.

Në një konferencë për media, Basha ka thënë se partia e tij po mbledh fakte “për të treguar manipulimin e votave”.

VIDEO:

“25 prilli është një masakër elektorale, viktima e së cilës nuk është Partia Demokratike dhe deputetët tanë. Rezultati ynë flet qartë. Besimi, shpresa që zgjuam dhe bashkuam pavarësisht prej rolit të paprecedent të krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit dhe siç tha edhe raporti paraprak i OSBE-ODHIR, shkrirjes së vijave ndarëse mes partitë dhe shtetit, nuk ia doli dot të zvogëlonte apo të ulte përmasat e një bashkimi të shqiptarëve”, ka thënë Basha në këtë adresim për shtyp.

Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta edhe për kandidatë të PS-së që morën mandatin, që sipas Bashës, i siguruan votat përmes lidhjeve me krimin.

Këtyre deklaratave i është kundërpërgjigjur kryeministri Edi Rama, i cili tha se luftën politike nuk e ka më prioritet.

“Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë”, ka shkruar Rama në një postim në profilin e tij në Tëitter teksa theksoi se ftesa për bashkëpunim vijon të ngelet e hapur. /Insajderi.com