Bëhet horë Kurti, rezolutën që e propozoi nuk është e Qeverisë, Kusari-Lila e ka nënshkruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme ka lexuar një draft-dokument, duke i kërkuar Kuvendit të Kosovës që ta votojë si rezolutë lidhur me synimet e Serbisë që të mbajë referendum në Kosovë. Megjithatë, nënkryetari Kujtim Shala ka zbuluar se dokumenti është i nënshkruar nga Mimoza Kusari-Lila, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Kujtim Shala, deputet i LDK-së, ka thënë se dokumenti i rezolutës mban nënshkrimin e Mimoza Kusari – Lilës.

VIDEO:

“Kryeministër a është kjo përpjekje, rezolutë-propozim i Qeverisë së Kosovës apo jo, sepse në fund të tekstit është emri, mbiemri dhe firma e Mimoza Kusarit-Lilës”, ka thënë ai.

Shalës i është kundërpërgjigjur kryeministri Kurti, i cili ka thënë se dokumentin që e propozoi si rezolutë të Qeverisë, e ka përpiluar bashkë me Grupin Parlamentar të LVV-së.

Kjo ka shkaktuar konfuzion dhe është cilësuar si një huqje e madhe nga ana e Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, i ka kërkuar Kurtit që ta tërheqin këtë rezolutë, pasi sipas tij është propozuar nga Mimoza Kusari-Lila.

“Duhet me e tërheqë rezolutën, pasi kjo qenka propozu nga Mimoza, duhet të vini me një draft-final. Kemi konfuzion të propozimeve. Kryeministri ka propozuar një dokument, por ai është nënshkruar nga dikush tjetër”, tha Gashi.

Në seancën e sotme të jashtëzakonshme, Kurti ka propozuar para deputetëve të Kuvendit rezolutën që tha se e ka përpiluar Qeveria, për synimet e Serbisë që të mbajë referendumin brenda territorit të Kosovës.