Bekim Gashi rrëfehet për plagosjen e tij në Prizren: Më gjuajti pse i rashë borisë

<!–

–>

Rrëfimi i Bekim Gashit për plagosjen e tij në Prizren: Më gjuajti pse i rashë borisë.

Pasditen e 10 janarit në Prizren, një mosmarrëveshje në komunikacion, për pak sa kishte përfunduar me fatalitet për një qytetar.

VIDEO:

Bekim Gashi ishte plagosur nga personi me iniciale L.V. që tashmë ndodhet në paraburgim.

Sipas gjykatës, deri te plagosja erdhi pasi që Bekimi i kishte rënë borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën.

Bekim Gashi ka dhënë versionin e tij për ngjarjen përmes një shënimi në Facebook.

Sipas tij, i dyshuari për tentim vrasjen e tij e kishte bllokuar rrugën, “për të bërë muhabet” dhe ndonëse ky e kishte sinjalizuar disa herë që ta lironte rrugën, duke i rënë borisë, ai nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Herën e fundit, kur Bekimi i kishte rënë borisë, pretendon se L.V. ka dalë nga vetura dhe i ishte afruar te vetura duke i bërtitur, për t’u kthyer më pas në veturën e tij, ku e kishte marrë armën e zjarrit me të cilën dyshohet se e ka qëlluar Bekim Gashin.

Ai thotë se e ka lajmëruar Policinë dhe derisa ishte kthyer në anën e majtë, thotë se i dyshuari e ka goditur me tytën e armës dhe derisa Bekimi kishte tentuar që ta neutralizonte, Leka dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke e goditur sipërfaqësisht në këmbën e majtë.

Në atë moment, i plagosuri thotë se ka arritur që ta neutralizojë dhe ta mbajë të bllokuar për 15 minuta, derisa ka ardhur Policia në vendin e ngjarjes.

E gjithë kjo ngjarje, sipas Bekimit, është zhvilluar në sytë e gruas dhe vajzës së tij 5-vjeçare, të cilat ndodheshin me të në veturë.

“Unë, Bekim Ukë Gashi, isha duke shkua me punë familjare, me shoqen dhe vajzën e vogël 5-vjeçare. Në mes të rrugës ky matrapazi e ka ndal kerrin edhe ia ka kris muhabetit me një person tjetër, për pak kohë i rashë borisë (sirenës), dhe ai e mbante rrugën e bllokuar. Mbas pak prapë i rashë (sirenës) e ai njëjtë vazhdonte muhabetin, mbas një kohe prapë reagova me (sirenë) dhe ky matrapazi doli prej kerrit u afrua të unë me fjalët: “Ça ki a nuk po të pritet a”. Unë isha në kerr dhe i thash: “Skajoje kerrin edhe tanë ditën bon muhabet”. Matrapazi ma ktheu “kush k… je ti”, dhe dola prej kerrit, i thash: Mos përdor fjalë të flliqta o IDIOT.”

Gashi rrëfen tutje se në këtë moment situata ka eskaluar.

“Në atë moment matrapazi është kthyer te kerri vet e ka marrë alltinë edhe më është u afrua me fjalët: “Çka po do tash”. Unë ja ktheva, “trimat nuk nxjerrin alltia, i ligi e nxjerrë prej tutës, tash do të kesh punë me polici”. E thirra 192-shin dhe u ktheva në pozitën e djathtë, në atë moment ky matrapaz në mënyrë tinzake më ka goditë me “qyk të Alltisë” në pjesën e majtë të kokës. Në atë moment telefoni më ka ra prej dorës dhe ju vërsula për t’ia bllokuar alltinë, kur ia kom ulë alltinë, matrapazi një plumb e ka shkrep ku plumbi ma ka kapur këmbën e majtë, d.m.th. plagë sipërfaqësore dhe mbas kësaj arrita që t’ia bllokoj alltinë dhe matrapazin totalisht, që mos të mund të lëvizte deri sa të vijnë policia.15 minuta e kam mbajt këtë matrapaz të bllokuar që mos të mundet me përdor armën”, rrëfen tutje Bekim Gashi.

Gashi rrëfen se me të arritur policia, personi në fjalë është arrestuar.