Berisha do të merret sot në pyetje nga Prokuroria lidhur me protestën e 8 janarit

Ish-kryeministri Sali Berisha do të merret në pyetje të enjten në Prokurorinë e Tiranës për protestën e thirrur nga ai më 8 janar, përcjell Insajderi.com.

Berisha do të dalë para Prokurorisë të enjten së bashku me Flamur Nokën për t’u pyetur për rolin e tyre në organizimin e protestës para selisë së Partisë Demokratike.

Ndërkaq, kreu aktual i PD-së, Lulzim Basha do të paraqitet para Prokurorisë të premten për të dhënë dëshminë e tij.

VIDEO:

Kurse, 34 të arrestuarit në protestën e së shtunës para selisë së Partisë Demokratike në Tiranë, janë liruar të mërkurën nga Gjykata e Tiranës.

Sipas prokurorit të çështjes, brenda selisë së PD-së pas protestës nuk ishte gjetur asnjë gjë e paligjshme, raporton Top Channel.

Kjo seancë ishte e ndarë në dy pjesë, ku në fillim është zhvilluar për mbështetësit e Sali Berishës, teksa më pas për të arrestuarit që ishin në katin e dytë të selisë.

Ndërkaq, për 29 persona, Prokuroria kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe për disa “arrest shtëpie”, kurse ndër të arrestuarit ka edhe persona të cilët janë nga Kosova.

Ndryshe, të shtunën, selia e PD-së është sulmuar nga mbështetësit e Sali Berishës, duke tentuar kështu thyerjen me forcë të dyerve.

Berisha kishte thirrur këtë protestë duke kërkuar kështu largim e Lulzim Bashës, nga pozita e kryetarit të PD-së./Insajderi.com