Besnik Osmani largohet nga pozita e Auditorit të Përgjithshëm

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar largimin e tij nga Zyra Kombëtare e Auditimit, duke thënë se angazhimit të tij 22-vjeçar në Shërbimin Publik i ka ardhur fundi, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani tha se pret që Kuvendi sa më shpejt ta emërojë pasuesin e tij.

VIDEO:

Osmani thotë se ndihet krenar që largohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit në kulmin e sukseseve personale e institucionale dhe për këtë ai falenderon ish-Presidenten Atifete Jahjaga që i dha besimin si kandidat dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës që e dha mandatin si Auditor i Përgjithshëm, t’i shërbejë vendit në këtë funksion publik të rëndësishëm.

“Angazhimit tim 22 vjeçar në Shërbimin Publik të Kosovës nga të cilat 5 vjet në Ministrinë e Financave, 12 vjet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe së fundmi 5 vjet në Zyrën Kombëtare të Auditimit i ka ardhur fundi. Po pres me padurim, që Kuvendi të ketë sukses dhe emërojë sa më shpejt pasuesin tim”, ka shkruar ai.

“Mbes me shpresë që kam dhënë një kontribut modest në themelimin dhe zhvillimin e administratës publike në vend, në mirëqenien e qytetarëve dhe në përparimin e vendit tim. Në të kundërtën, më vjen keq që ju kam zhgënjyer”, ka shkruar më tej ai. /Insajderi.com