Blerim Latifi tregon historinë se si Polluzha e la sakat komandantin partizan në betejën e fundit

Profesori

Profesori universitar, Blerim Latifi ka postuar në rrjetin social Facebook një histori të betejës së fundit të Shaban Polluzhës në fshatin Terstenik.

VIDEO:

Latifi ka treguar se si një komandant partizan kishte ardhur me një mision të qartë, thyerjen e qëndresës së Polluzhës dhe grupit të tij.

“Dueli midis dy komandantëve në ditën fatale”, e titullon Latifi.

“Qysh në vjeshtën e vitit 1944 Petar Brajoviqi, me urdhërin e Titos, ishte bërë komandanti suprem i brigadave partizane. Ai ishte graduar në gjeneral kolonel. Në mëngjesin e 21 shkurtit 1945 ai morri lajmin e shumëpritur: Shaban Polluzha, tani i mbetur me vetëm rreth 40 luftëtarë, ishte rrethuar në tri kulla prej guri në fshatin Terstenik. Në orët e pasditës i erdhën lajme të tjera: rezistenca e të rrethuarve nuk po thyhej dot. Terreni ishte krejtësisht i zhveshur dhe partizanët nuk u ofroheshin dot kullave. I zemëruar Brajoviqi u ngrit në këmbë dhe u tha vartësve të tij: Do të shkoj unë personalisht për ta zanë të gjallë atë plak kokëfortë. Morri njësinë e tij dhe brenda dy orësh u shfaq në fushën e betejës. Pjesëmarrës në shumë beteja, Petar Brajoviqi e mbivlerësonte veten. Ai zgjodhi njerëzit më trima nga radhët e partizanëve dhe u sul në drejtim të kullave ku po mbrohej plaku kokëfortë, siç e quante Shaban Polluzhën. Ndërkaq, topi që ishte në prapavijë, godiste papushim kullat që Brajoviqit t’i mundësoj afrimi tek muret e tyre. Kur tanimë ishin pranë cakut dhe Brajoviqi po shtinte me automatikun e tij në hyrje të njërës prej kullave, nga brenda saj u dëgjua bresheria e një mitrolozi, i cili ia këputi të dy këmbët, duke e lënë sakat për gjithë jetën, deri në vdekjen e tij në vitin 1991.”, tregoi ai.

Sot është përvjetori i vdekjes së Shaban Polluzhës, luftëtar i cili u angazhua për bashkim kombëtar dhe luftë kundër komunizmit.