Borell dhe Varhelyi pas dënimit të Mladiqi: Lavdërimi i kriminelëve kundërshton vlerat evropiane

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas rikonfirmimit të dënimit ndaj kriminelit ser btë luftës, Ratko Mladiq, nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara, njofton Insajderi.

Në këtë deklaratë të përbashkët, Borrell e Varhelyi thane se dënimi ndaj Mladiq i jep fund gjykimit kryesor në historinë e fundit të Evropës për krime lufte, përfshirë gjenocidin, i cili ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë.

VIDEO:

“Duke kujtuar ata që humbën jetën, ngushëllimet tona më të thella janë me të dashurit e tyre dhe ata që mbijetuan. Ky gjykim do të kontribuojë në ngushëllimin e të gjithë atyre që vuajtën. BE pret që të gjithë aktorët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor të demonstrojnë bashkëpunim të plotë me gjykatat ndërkombëtare, të respektojnë vendimet e tyre dhe të pranojnë pavarësinë dhe paanësinë e tyre”, thuhet në deklaratën e tyre.

Borell dhe Varhelyi më tej thanë se mohimi i gjenocidit, revizionizmi dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës kundërshtojnë vlerat më themelore evropiane.

Ata shtuan se vendimi i sotëm është një mundësi për udhëheqësit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe rajon për të nderuar viktimat dhe për të promovuar një mjedis që i shërben pajtimit dhe për të kapërcyer ato që la lufta pas.

“Ky është një parakusht për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe thelbësor për rrugën e saj në BE”.

“Gjykatat ndërkombëtare dhe vendore në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në vendet fqinje duhet të vazhdojnë misionin e tyre për të siguruar drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit dhe familjarëve të tyre. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri”, përfundon deklarata. /Insajderi.com