Borrell flet para takimit mes Kurtit e Vuçiqit

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se takimi i sotëm mes Kosovës e Serbisë është shumë i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo deklaratë e tij, erdhi pak orë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

VIDEO:

“Mbajtja e kontakteve të rregullta është e rëndësishme dhe tregon përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Do të vazhdojmë sot diskutimet për rezultatet e arritura deri tani, hapat e ardhshëm para nesh dhe rrugën përpara në zhvillimin e këtij dialogu”, ka thënë ai.

Borell shtoi se Kosova dhe Serbia duhet të shohin përpara, duke thënë se e kaluara është e rëndësishme por kapitulli i saj mbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Kosova dhe Serbia duhet që më në fund ta mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve duke shikuar përpara drejt rrugës evropiane për qytetarët e vet. E ardhmja është më e rëndësishme sesa e kaluara”.

“E kaluara është e rëndësishme, por duhet të shohim përpara dhe kur shohim përpara e shohim që në fund të rrugës është perspektiva evropiane për Kosovën dhe Serbinë nëse arrijnë përfundimisht një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të tyre që është në dorën e tyre dhe jo të BE-së të vendosin”.

Të hënën, i dërguari special i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, është takuar ndaras me Kurtin e Vuçiqin.

Kurti e Vuçiqi janë takuar më 15 qershor dhe të vetmen pikë ku janë pajtuar ka qenë që të takohen përsëri. /Insajderi.com