Çfarë do të ndodhë me qindra pajisje të kriptovalutave që u konfiskuan nga policia

Institucionet e Kosovës kanë konfiskuar në ditët e para të janarit 429 pajisje që shërbejnë për mihjen e kriptovalutave.

Konfiskimi pason masat emergjente për energji elektrike, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se pajisjet me të cilat prodhohen kriptovalutat, shpenzojnë shumë energji elektrike, dhe për ta kursyer atë, kanë marrë vendim për ndërprerjen e prodhimit të parave digjitale.

Në ditët e fundit janë zhvilluar disa aksione për konfiskimin të pajisjeve për mihjen e kriptovalutave, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si janë duke u identifikuar personat që merren me këtë veprimtari.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elashni, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mënyra të ndryshme për identifikimin e atyre që njihen si “ferma” të mihjes së kriptovalutave.

“Identifikimi mund të bëhet përmes bashkëpunimit të qytetarëve, pastaj mund të bëhet edhe përmes shikimit të aktivitetit në internet. Përmes furnizueseve të internetit ka mundësi që të detektohet trafiku që shfrytëzohet për mihjen e kriptovalutaeve, sepse ato [pajisjet] përdorin protokolle të veçanta të rrjetit”, thotë Elshani.

Pjesa e veriut të Kosovës, e përbërë nga komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, besohet se është shndërruar në lokacion joshës për hapjen e “fermave” për kriptovaluta.

Kjo për faktin se në këtë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qytetarët nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar qysh në vitin 1999.

Po ashtu, ofruesit e internetit atje janë kryesisht nga Serbia dhe veprojnë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Por, Elshani thotë se kjo nuk paraqet problem për t’i identifikuar ata që merren me mihje të kriptovalutave.

“Pavarësisht se prej nga vjen interneti, mund të detektohen përmes pajisjeve që gjenden në Kosovë, si routerëve [pajisje për internet] të ndryshëm, pastaj edhe pajisjeve të tjera, të cilat e mundësojnë ndërlidhjen me internet”, thotë Elshani.

Më 8 janar, Policia dhe Doganat e Kosovës kanë konfiskuar 272 pajisje Antminer për prodhimin e kriptovalutave në Leposaviq.

VIDEO:

Aksionet e policisë vënë në konfuzion komunitetin e prodhimit të kriptovalutave

Aksionet e Policisë së Kosovës kanë krijuar konfuzion te qytetarët që merren me mihjen e kriptovalutave.

Në një grup në rrjetin social Facebook, shumë prej tyre kanë kërkuar sqarime se si mund t’i identifikojë policia në rast se kanë aparate aktive.

Njëri pyet anëtarët e tjerë të grupit nëse është i rrezikuar që t’i konfiskohen edhe atij pajisjet, që thotë se i ka të importuara në mënyrë legale.

Bisedë në rrjetin social Facebook në mes të personave që merren me prodhimin e kriptovalutave në Kosovë.

Bisedë në mes të personave që merren me prodhimin e kriptovalutave në Kosovë.

Megjithëse pajisjet për prodhimin e kriptovaltuave janë duke u konfiskuar në Kosovë, ato vazhdojnë të tregtohen lirshëm në platforma të ndryshme online.

Më 5 janar, një person vendosi në shitje 100 pajisje të llojit Antminer, të cilat shërbejnë për mihjen e kriptovalutës së njohur Bitcoin.

Një qytetar që ka vendosur në shitje 100 pajisje për prodhimin e kriptovalutave

Çmimet e pajisjeve janë të ndryshme, varësisht nga kriptovaluta që mihet, brendi dhe fuqia e pajisjes.

Çmimet variojnë nga 150 deri në 10 mijë euro.

Doganat: E konfiskojmë çdo pajisje pa dokumentacion

Doganat e Kosovës kanë thënë se do të konfiskohet çdo pajisje që shërben për mihjen e kriptovalutave, në rast se nuk i ka dokumentacionet e nevojshme.

“Secila pajisje apo produkt që është në Kosovë dhe nuk ka procedura doganore, pra nuk është i zhdoganuar, automatikisht i nënshtrohet konfiskimit”, thanë Doganat e Kosovës.

Ato nuk sqaruan se çfarë do të ndodhë me pajisjet e konfiskuara.

Sipas Kodit Doganor dhe Akcizave në Kosovë, nëse një person juridik apo fizik sjell në mënyrë të fshehur mallin në Kosovë, ai mall do të konfiskohet.

Ai mall mund t’i kthehet pronarit apo kryesit të shkeljes administrative doganore, sipas kërkesës, në qoftë se është fjala për mallin, për të cilin janë plotësuar kushtet e importit dhe me kusht që paraqitësi i kërkesës paguan vlerën e mallit dhe detyrimet importuese.

Ndryshe, Kodi parasheh që malli i konfiskuar mund t’i nënshtrohet shitjes.

Kosova larg rregullimit ligjor të kriptovalutave

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, thotë se në Kosovë janë mbi 10,000 persona që investojnë në kriptovaluta ose merren me mihjen e tyre.

Ai thotë se iniciativa për rregullim ligjor të fushës së kriptovalutave duhet të jetësohet sa më shpejt, sidomos tani kur mihja e tyre është ndalur me vendim të Qeverisë.

“Grupi punues ende nuk e ka përfunduar punën e tij dhe jemi në pritje që në sesionin pranveror të Kuvendit të Kosovës të vazhdojmë me punë sa i takon projektligjit për kriptovaluatat”, thotë Shala për REL-in.

Rregullimin me ligj të kësaj fushe e mbështet edhe Banka Qendrore e Kosovës.

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, thotë se mënyra se si funksionon kjo fushë aktualisht në Kosovë, paraqet rrezik për individët që investojnë në kriptovaluta.

“Është e rëndësishme që të rregullohen disa segmente të kësaj fushe që kanë të bëjnë më tatimin e tyre [kriptovalutave] apo tatimin e profitit që realizohet prej tyre. Po ashtu të rregullohet edhe çështja e procedurave që kanë për qëllim luftimin e shpëlarjes së parasë”, thotë Havolli.

Sipas tij, duhet të krijohen edhe procedurat për mbrojtjen e konsumatorit nga rreziqet potenciale të investimit në kriptovaluta.

Qeveria, këto pajisje shpenzojnë shumë rrymë

Pas konfiskimit të 272 pajisjeve Antminer që shërbejnë për mihje të kriptovalutave në Leposaviq, ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se ato pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kilovatë energji elektrike në muaj.

Kjo, sipas tij, mund të krahasohet me shpenzimin mesatar të 500 shtëpive.

Por, njohësit e procesit të mihjes së kriptovaltuave thonë se ndikimi i kësaj veprimtarie në konsumin total të energjisë elektrike në Kosovë nuk është i dukshëm.

Granit Kadolli, i cili deri vonë është marrë me prodhimin e kriptovalutave, ka sqaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë përdoren kryesisht dy lloje pajisjesh për mihjen e kriptovaltuave: ASIC Miner, që prodhon kryesisht Bitcoin, dhe GPU Mining që përbëhet prej kartelave grafike.

“ASIC Miner shpenzon rrymë deri në 1.8 dhe 2.2 kilovatë në orë, kurse GPU Miner shpenzon 1.1 deri në 1.8, e që janë pajisje më të mëdha, më të shtrenjta. Shumica prej qytetarëve që kanë investuar në kriptovaluta, kanë GPU. Shpenzimet nuk janë shumë të mëdha që të ndikojnë në krizën energjetike”, ka thënë Kadolli më 5 janar.

Sipas Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje Antminer në vlerë prej rreth 3,000 eurosh, ndërsa kartela grafike janë importuar në vlerë prej 583 mijë eurosh.

Por, sipas Doganave, interesimi i qytetarëve të Kosovës për të investuar në pajisje për prodhimin e kriptovaltuave ka qenë më i madh në vitet 2017-2018.

Pikërisht në verën e vitit 2018, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka raportuar mbi 20 për qind rritje të konsumit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Në një dëgjim publik në Kuvendin e Kosovës, të mbajtur në muajin gusht të vitit të kaluar për projektligjin për kriptovaluta, kryesuesja Mimoza Kusari – Lila e ka lidhur rritjen e konsumit të energjisë elektrike në veri me prodhimin e kriptovalutave.

“Në vitin 2018, diku në verë, ka filluar rritja e konsumit të energjisë elektrike në veri, në 2018-ën në verë. Edhe e kemi një trajektore kështu 20 për qind menjëherë krahasuar me vitin paraprak… edhe ajo rritje mandej ka vazhduar në vitet pasuese”, ka thënë Kusari – Lila, sipas transkriptit të dëgjimit publik.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KOSTT-i ka konfirmuar rritjen e konsumit të rrymës në veri në periudhën 2018-2022.

“Është evidente që konsumi i energjisë elektrike në vitet e fundit ka shënuar rritje të vazhdueshme në komunat veriore të Kosovës. Rritja e konsumit në pjesën veriore të vendit në vitin 2019, në raport me vitin 2018, ka qenë 8%; rritja e konsumit në vitin 2020 në raport me vitin 2019 ka qenë 13%. Gjithashtu, në vitin 2021 konsumi i energjisë elektrike në veri të Kosovës ka qenë për 13% më i lartë sesa në vitin paraprak”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Komunat në veri të Kosovës llogaritet se shpenzojnë rreth 12 milionë euro energji elektrike në vit.

Për inkasimin e energjisë elektrike të shpenzuar në këtë pjesë, institucionet e Kosovës nuk kanë gjetur ende zgjidhje.

The post Çfarë do të ndodhë me qindra pajisje të kriptovalutave që u konfiskuan nga policia appeared first on Telegrafi.