Çka thonë familjarët e pejanit që vjedh vetura?

<!–

–>

Flasin familjarët e pejanit që vjedh vetura.

Pejani që u bë i njohur pasi i merrte veturat të cilat i gjente të hapura, është arrestuar të dielën, pasi kishte vjedhur një veturë të Komunës së Pejës. Prokuroria ka kërkuar që Loxhës t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

VIDEO:

Ndërkohë, Express ka kontaktuar vëllain e Valonit, i cili ka deklaruar se ai ka probleme shëndetësore dhe se para pak muajsh është liruar nga burgu në Gjermani, ku kishte qëndruar 6 vjet.

Kishte pritur derisa sigurimi fizik të largohej nga vendi ku qëndronin të varur çelësat e zyrave dhe veturave të Komunës së Pejës, e më pas kishte hyrë dhe kishte marrë çelësin e njerëz prej veturave që gjendeshin në parking.

Nga aty, Valon Loxha me veturën zyrtare shkoi në Drelaj të Rugovës, ku edhe u kap nga Policia dhe u arrestua.

Pas arrestimit, Prokuroria Themelore e Pejës urdhëroi që Valon Loxhës t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Se Valoni ka probleme psikike ka deklaruar edhe vëllai i tij, V.Loxha.

Ai ka deklaruar se Valoni ka vuajtur dënimin me burgim për 6 vjet në Gjermani. E derisa ishte aty, kishte pasur edhe trajtim psikik.

“U kon pak keq me psikikë. U kon në burg jashtë, nja gjashtë vjet në Gjermani. Për besë, ka qenë kështu diçka për vjedhje. Nuk di shumë detaje. Po, ka pasur dokumente të mjekut. Kohëve të fundit jo, por në Gjermani sa ka qenë në burg ka pasur kontrolla. Prej burgut është liruar diku qe 3-4 muaj, burgun atje e ka kry, e kanë kthy nga atje, ka ndalesë”, ka deklaruar vëllai i Valonit.

Ai deklaroi se Valoni nuk është i dhunshëm dhe se nuk ka pasur problem me askënd, as pas kronikës se i merr veturat të cilat i gjen pa çelës.

“Në Kosovë jeton me mamin dhe me mua. Në familje nuk është i dhunshëm as kurrgjë, as me tjerë persona s’ka pasur problem. Kemi tentu si çdo familje me e ndalë, por problem është shumë, veç me e lidhë se nuk u ndalke”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Valon Loxha, në muajin nëntor të vitit të kaluar, ishte shpallur i zhdukur nga familja e tij.

Madje, ata kishin kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për ta gjetur. Por, pas pak ditësh, e kishin marrë vesh se Valoni ishte në burg.

“E ka pasur edhe një rast në polici, ka qëndrua një muaj, para vitit të ri, ka qenë kështu për të njëjtin rast. E kemi raportua të zhdukur, por ka qenë në burg në atë kohë. Kemi shikua në Policinë e Pejës, na kanë thënë që nuk ka asgjë, por pastaj kur e kemi kërkuar na kanë tregu njerëzit që e kanë pa në pavion. Nga burgu i Dubravës pastaj e kanë transferuar në Pejë. Pasi ka dalë, ka vazhdua njejtë. Nja 2-3 ditë bojke mirë, po pastaj prapë vazhdojke”, ka deklaruar vëllai i Valonit.

Pas kësaj, Loxha është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. Prokurori i rastit ka kërkuar që ndaj tij të shqiptohet masa e paraburgimit prej 48 ditësh dhe t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.