Çollaku: Hashim Thaçi u intervistua nga Specialja në fillim të vitit 2020

Bekim Çollaku – bashkëpunëtori më i afërt i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ky i fundit ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës në fillim të vitit 2020, transmeton Insajderi.

Kështu është deklaruar Çollaku në ‘Rubikon’ të Klan Kosovës, derisa shtoi se Thaçi e ka konsideruar si të vonuar dorëheqjen e tij nga pozita e presidentit pas ftesës që kishte pranuar nga Specialja.

VIDEO:

“Presidenti Thaçi ka mundur të mos japë dorëheqje, nuk ka asnjë bazë ligjore që ia imponon një zyrtari të shtetit këtë, pas ngritjes së një aktakuze. Ai e ka konsideruar si të vonuar dorëheqjen e tij, duke e llogaritur se duhej të jepte dorëheqje në momentin kur kishte marrë ftesën e parë nga kjo Gjykatë për t’u intervistuar. Ai e ka vendosur interesin shtetëror para duke dhënë dorëheqje, kjo në formë për të mos i dëmtuar institucionet e Kosovës”, ka thënë Çollaku.

“Thaçi në fillim të vitit 2020 kishte marrë ftesë nga Haga për t’u intervistuar, ai ka dhënë intervistë atëherë dhe kjo është bërë e ditur në dokumentet zyrtare që janë të publikuara”, shtoi ai. /Insajderi.com