Debat në Kuvend për dhënien e statusit Investitor Strategjik, opozita kërkon sqarime shtesë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë propozim-vendimin e qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods” Sh.P.K. Partitë opozitare e kanë kundërshtuar një propozim të tillë duke thënë se nga ministritë përkatëse duhet të japin sqarime shtesë.

Propozimin e qeverisë e ka prezantuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në mungesë të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari. Mungesa e kësaj të fundit është kritikuar nga deputetët e opozitës.

“Me përfitimin e statusit të investitorit strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025 Kosomonte Foods sh.p.k. si investitor strategjik do të implementojë projektet si në vijim: projekti parë, fabrika për përpunimin e pemëve dhe perimeve, zgjerimi i kapaciteteve për ruajte dhe prodhim, në një sipërfaqe prej 6273 metra katrorë…”, ka thënë Nagavci.

Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se një nismë e tillë duhet të tërhiqet prapa meqë sipas tij ka paqartësi të mëdha dhe konteste gjyqësore.

VIDEO:

Tahiri ka thënë se pronën të cilën po e jep në investim strategjik Qeveria e Kosovës është pronë e Agjencisë së Pyjeve që ndodhet në Fushë Kosovë, duke shtuar se prona ka qenë e shfrytëzuar me qira nga kjo kompani.

Ai ka përmendur se ndaj kompanisë në fjalë është ngritur padi nga Agjencia e Pyjeve për mosrespektim të kontratës ndërsa tani Ministria e Bujqësisë është tërhequr nga padia.

“Është e papranueshme që sot përderisa ndalemi pak në retrospektivë dhe shohim që akuzat që i keni bërë në të kaluarën për privatizimet këtu po e jepni për 99 vjet një tokë që nuk po e dimë në fakt sa hektarë ka, dhe me paqartësi shumë të mëdha, me konteste gjyqësore dhe mendoj që kjo iniciativë duhet me u tërheq prapa që tani. Është e papranueshme andaj po them me siguri edhe ministrja a e Tregtisë dhe Industrisë e ka pasur zor me ardh dhe me prezantu ketë nismë…mos me ardh me prezantu nismën e vet që është e para e këtij lloji që vjen në Kuvendin e Republikës së Kosovës është e papranueshme. Pra unë mendoj që këtu kemi të bëjmë thjesht me një aferë korruptive…Tash së fundmi e kemi informatën që Ministria e Bujqësisë është tërheq nga padia mendoj që në asnjë rrethanë nuk duhet me u vazhdu më tutje”, ka thënë Tahiri.

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ministrja e Tregtisë duhet të bëjë të qartë nëse kompania në fjalë vazhdon të ketë kontest të hapur me shtetin para se të votohet një çështje e tillë.

​Shtyhet debati për dhënien e statusit të Investitor Strategjik ​Shtyhet debati për dhënien e statusit të Investitor Strategjik

“A dëshirojmë të vendosim precedent ne kur një investitor potencial pavarësisht se si e ka emrin, nëse ka një rast të hapur me shtetin për shkak të mos respektimit të kontratës ne të avancojmë raportim e këtë investitor, t’i japim në shfrytëzim më shumë tokë, t’i japim edhe më shumë resurse tona në dispozicion, këtu është ideja, askush nuk është kundër që të vijnë investimet në Kosovë”, ka thënë Selmanaj.

Ndërsa Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që një pikë e tillë të shtyhet për një seancë tjetër dhe të diskutohet me praninë e ministres së Tregtisë.

“Kur jemi me theks të veçantë sot që të trajtohet ky propozim mendoj që është injorancë totale nga qeveria Kurti, nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë dhe këtu para na vjen, për çdo respekt, ministrja e Arsimit, ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës kemi dilema, kemi shfaqë dilemë edhe në komisionin për ekonomi kur është prezantuar, dhe tani t’i bëjmë pyetje ministres së Arsimit mendoj që është e pakuptimtë”, ka thënë ai.

Ndërsa Jeta Statovci nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky është një prej projekteve që do t’i ndihmonte sektorit të bujqësisë në Kosovë.

“Ky është një prej projekteve që do t’i ndihmonte sektorit të bujqësisë gjithashtu industrisë ushqimore qe e dimë se është sektor me prioritet të lartë për zhvillim ekonomik, ka një impakt të fuqishëm në raport me punësimin e të rinjve dhe të rejave, por gjithashtu ka të mira indirekte në raport me punonjësin e fermave dhe fermerëve të ndryshme, të cilët do të mund të kontribuojnë direkt në rritjen ekonomike të vendit”, ka thënë ajo.

The post Debat në Kuvend për dhënien e statusit Investitor Strategjik, opozita kërkon sqarime shtesë appeared first on Telegrafi.