Dëshmitari e quan akt humanitar sigurimin e vizës italiane nga Astrit Haraqija, pasi i mundësoi kontrollë mjekësore në Gjermani

Viza Italiane

Prishtinë – Dëshmitari Florim Gurhasku e ka quajtur gjest humanitar sigurimin e vizës italiane nga ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, pasi sipas tij, i mundësoi kontrollën mjekësore në Gjermani.

“Duhet me iu falënderu Astritit për atë gjest human që më ka ndihmuar më marrë vizën italiane, pasi më është mundësuar që të shkojë për kontrollë mjekësore në Gjermani”, ka thënë dëshmitari.

Këtë deklaratë, dëshmitari Gurhasku e ka dhënë në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, të cilët po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Akuza thotë se Ukë Rugova kishte menaxhuar këtë grup kriminal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Florim Gurhasku ka thënë se ka aplikuar për vizë shengen në Gjermani për shkaqe shëndetësore, mirëpo çdo herë i ishin refuzuar vizat.

VIDEO:

Ai ka thënë se pasaportën dhe dy fotografi ia kishte dorëzuar mikut të tij me emrin Fatlum Tara, i cili pas një kohe ia kishte dorëzuar pasaportën së bashku me vizë italiane shengen, për të cilën tha se nuk kishte paguar asgjë.

I njëjti e ka mohuar se ka punuar si roje e ish-presidentit Ibrahim Rugova, por sipas tij, ai ka qenë në gjendje të punojë edhe pa pagesë.

“Si krejt Kosova, kemi qenë përkrahës të Ibrahim Rugovës por nuk kam punuar për ta, edhe pse jemi kanë në gjendje edhe m’i ruajt. Po të ishte nevoja pa pagesë kisha punu”, ka thënë dëshmitari.

Pa këtij deklarimi, prokurorja speciale Florije Shamolli ia prezantoi një dokument në të cilin figuron emri i tij si truproje e familjes Rugova, për të cilin dokument dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në polici, në të cilën kishte deklaruar se vizën shengen italiane e kishte marrë përmes Astrit Haraqisë, të cilit ia kishte dorëzuar personalisht në dorë pasaportën si dhe dy fotografi dhe 100 euro për shpenzime administrative në lokalin “Hani i Haraqisë”, në Gjakovë.

Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitari ka thënë se pasaportën nuk ia kishte dorëzuar të akuzuarit Haraqija, por mikut të tij Fatlum Tana i cili edhe ia kishte dorëzuar pasaportën bashkë me vizë në lokalin “Hani i Haraqisë”.

Në seancën e së mërkurës ka dhënë deklaratë edhe dëshmitarja Hajrije Kutllovci e cila ka deklaruar se ka aplikuar në Ambasadë Italiane për vizë italiane shengen, por se pasaporta nuk i ishte kthyer asnjëherë dhe as nuk ishte pajisur me vizë italiane.

Prokurorja Shamolli e pyeti dëshmitaren në lidhje me deklaratën e dhënë në polici, se a e kishin pyetur policia për të akuzuarin Florjan Petani, por e njëjta ka thënë se nuk kishte dëgjuar për këtë emër.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitarja Lindita Mehmeti, e cila ka deklaruar se ajo dhe bashkëshorti i saj kishin aplikuar për dy fëmijët e tyre për vizë italiane, por asnjëherë nuk ishin pajisur me vizë.

“Vizën nuk e kemi marrë, pas disa muajsh na ka thirrë me marrë pasaportën dhe me dhanë deklaratë për këtë rast”, ka deklaruar dëshmitarja Mehmeti.

Seanca e radhës në këtë rast, pritet të mbahet më 10 dhjetor 2021.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikatorë.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.