Detaje të reja: Dyshohet se autobusit i plasi goma e parë

<!–

–>

Tragjedia në Bullgari, dyshohet se autobusit i plasi goma e parë.

Mediat kanë publikuar rezultatet e para të hetimit në lidhje me tragjedinë e ndodhur mëngjesin e sotëm në Bullgari ku humbën jetën 45 shqiptarë që ktheheshin nga Stambolli.

VIDEO:

Sipas informacioneve, autobusit i ka plasur goma e përparme djathtas, e më pas është përplasur në parmakë dhe është zvarritur. Në atë moment është derdhur karburanti që lidhet me ngrohjen në autobus, duke shkaktuar zjarrin. Kjo ka ndodhur në pjesën e përparme të autobusit. Këto detaje u zbuluan në një deklaratë për Televizionin Kombëtar Bullgar nga Vasko Pirgov, i cili është ekspert i motorëve me djegie të brendshme dhe ishte ndër të parët që mbërriti në vendin e tragjedisë në mëngjes. Sipas tij, shoferi pranë karrigeve të përparme ka pasur tuba të mbushur me naftë, dhe për këtë shkak ka ndodhur shpërthimi.

“Zjarri ka ndodhur për shkak të gabimit të shoferit, i cili është shpërqendruar në rrugë. Aty është një çezmë ku ndalen njerëzit që kanë ndonjë nevojë, është për pauzë, ka disa lokacione të këtilla dhe është e thurur me bankinë. Duke hyrë në bankinë, shoferi ka goditur dhe e ka thyer shenjën që tregon se aty ka çezmë. Ajo shenjë ka fluturuar rreth 35 metra. Me siguri autobusi ka lëvizur me shpejtësi më shumë se 100 km në orë. Autobusi nuk ka shenja frenimi, do të thotë, shoferi nuk ka reaguar në mënyrë përkatëse”- deklaroi Vasko Pirgov- ekspert për motorë me djegie të brendshme.

Megjithatë, organet bullgare të hetimit nuk kanë vërtetuar nëse në autobus ka pasur fuçi me karburant. Në zbulimin e shkaqeve të tragjedisë do të punojnë vetëm organe bullgare të hetimit.

“Po vijmë sërish te versionet kryesore, a është gabim njerëzor apo mosfunksionim teknik i autobusit? Ka qenë edhe shoferi i dytë, por nuk mund të themi nëse ka shpëtuar. Mendojmë se të dy shoferët nuk kanë mbijetuar”- pohoi Borisllav Sarafov, Shërbimi hetimor kombëtar i Bullgarisë.

Bullgaria paralajmëron hetim të shpejtë.

“Dua të siguroj kolegët e mi nga Maqedonia e Veriut se Prokuroria Publike e Bullgarisë do të bëjë çdo përpjekje për të kryer hetim të shpejtë, objektiv dhe efikas për të përcaktuar arsyet e këtij incidenti të rëndë”- tha Sijka Mileva, Prokuroria publike e Bullgarisë.

Shefi i Prokurorisë publike në Maqedoni, Ljubomir Joveski dhe shefja e Prokurorisë për Krim të organizuar, Villma Ruskoska, ishin në vendin e ngjarjes dhe informuan, se me kolegët bullgarë do të bashkëpunojnë vetëm rreth dokumenteve të Besa transit “.

“Këtu është në vendngjarje, atje ku është autobusi, është edhe pronari i kompanisë së transportit. Fola shkurt me të. Ai tha se ka 20 vite, që është kompani transporti. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident, kjo sipas tij. Por, siç thanë tashmë kolegët, ne do ta sigurojmë dokumentacionin e plotë për të gjithë autobusët – kur janë të regjistruar, kur kanë qenë për kontroll teknik dhe do t’ua dërgojmë kolegëve këtu në Bullgari.“- pohoi Vilma Ruskovska, Prokuroria për krim të organizuar dhe krim.

“Dokumentet për pronësinë e autobusit janë siguruar dhe do t’ua dorëzojmë kolegëve të Prokurorisë Publike Bullgare. “Por duhen studiuar shumë dokumente për të vërtetuar faktet”- tha Ljubomir Joveski, Kryeprokuror i Maqedonisë.

Kryeministri Zaev dhe kolegu i tij bullgar, Stefan Janev theksuan se sot nuk do të spekulojnë për shkaqet e aksidentit, por këtë do ta vërtetojnë organet hetuese.