Donika Gërvalla për Rexhep Selimin një vit më parë: LVV nuk ka arritur të çlirohet nga figurat e botës së krimit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së fundmi është kritikuar ashpër për një deklaratë të bërë vite me parë gjatë një interviste televizive, ku thoshte se do të dorëzojë në Hagë materiale, që sipas saj do të zbardhnin vrasjet e kryera në Kosovë, posa të formohej Gjykata Speciale, dhe po ashtu fliste kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit, madje këtë të fundit e quante edhe “koka e krimit”, njofton Insajderi.

Pas kësaj, është publikuar edhe një deklaratë tjetër e Gërvallës e bërë një vit më parë në profilin e saj në Facebook, ku e cilësonte ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, si kriminel.

VIDEO:

Aty kryediplomatja shkruante se LVV-ja nuk po arrin të çlirohet nga siç e quante ajo, figurat e botës së krimit.

“Nëse mund t’ju besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i Grupit Parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”, shkruante fillimisht Gërvalla më 7 shkurt, katër ditë pas formimit të Qeverisë Kurti I.

“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit”, shkruante një muaj më vonë.

Selimi, bashkë me tre ish-krerët tjerë të UÇK-së, ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi janë arrestuar në nëntor të vitit të kaluar. Ata po akuzohen nga Specialja për krime lufte./Insajderi.com