Dosja e rastit të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt i kalon trupit gjykues

Dhomat e Specializuara kanë marrë vendim që dosjet e rastit dy ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të kalohen te trupi gjykues.

Kjo është kumtuar në anë të një njoftimi të Gjykatës Speciale.

VIDEO:

“Më 15 korrik 2021, Kryetare Ekaterina Trendafilova caktoi gjykatësit Çarls Smith III, Kristof Barte, Genël Metro dhe Fergal Gejnor (rezervë) në Trupin Gjykues II. Ky caktim u bë pas njoftimit prej Gjykatësit të Procedurës Paraprake se dosja e plotë e çështjes Prokurori i Specializuar k. Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt (KSC-BC-2020-07) do të jetë gati për t‘iu kaluar Trupit Gjykues më 16 korrik 2021”, thuhet në njoftim.

“Në pajtim me rregullën 116 dhe rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pas marrjes së dosjes së çështjes, Trupi Gjykues mban pa vonesë një konferencë përgatitore për gjykimin me palët, pas së cilës përcakton afatin për mocionet që mund të dorëzohen prej tyre para nisjes së gjykimit”, vazhdon njoftimi.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, akuzohen për ndërhyrje në drejtësi, saktësisht për frikësim të dëshmitarëve  për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati e Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator nga forcat e EULEX-it me urdhër të Gjykatës Speciale.

Paraprakisht, në mënyrë misterioze disa dokumente të Speciales kishin arritur në zyrën e OVL UÇK-së. /Insajderi.com