Dreshaj: Sot do të ketë numër të lartë të vdekjeve nga COVID-19

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se të martën do të ketë numër të lartë të vdekjeve nga Coronavirusi, përcjell Shqip.com.

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Dreshaj tha se situata me pandeminë nuk është aspak e mirë dhe se sipas tij, numri i vogël i rasteve ditëve të fundit është si rezultat i numrit të ulët të testimeve.

VIDEO:

”Spitalet janë të ngarkuara, numër të vdekjeve do të ketë. Janë pacientët në gjende të rëndë, 95 për qind të pacientëve janë veç me oksigjenoterapi. E keqja na bashkon. T’i bashkojmë forcat. Të mos bëjmë politikë me vdekje. Unë sot mora raportin e mëngjesit, nuk është i mirë, do kemi numër të lartë të vdekjeve edhe sot pasdite’’, tha Dreshaj.

Në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit nga partitë opozitare, Armend Zemaj dhe Bekim Haxhiu, kanë kritikuar Qeverinë lidhur me menaxhiminë e pandemisë.

Zemaj tha se situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duhet të raportojë para deputetëve dhe se sipas tij, “Qeveria Kurti s’e ka pasur prioritet pandeminë”.

Kurse, Haxhiu e ka quajtur “dështim total” menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria Kurti, teksa shtoi se se ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, duhet pyetur se që nga koha kur ka marrë mandatin a ka marrë të paktën një herë pjesë në mbledhjet e këtij komisioni për të raportuar.

Ndërkaq, anëtari nga Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka thënë se në përballje me pandeminë COVID-19, Kosova qëndron më mirë tani, se në krahasim me një vit më herët.

Sipas tij, kapacitetet spitalore janë më të përgatitura tani, ndonëse ka thënë se meritat për këto suksese i takojnë nuk i takojnë vetëm ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, por edhe ish-ministrit të këtij dikasteri, Armend Zemaj./Shqip.com