Dugolli për dialogun: Ata që japin kritika, nuk kanë njohuri ose e xhelozojnë Kurtin

Bujar Dugolli

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zhvilluan takimin e dytë të hënën në Bruksel në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyjave vendeve, por, pa ndonjë pajtim.

VIDEO:

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli, në “Debat Plus” ka thënë se evoluimi i figurave politike është një proces normal, duke iu referuar Albin Kurtit.

“Qeveritë e kaluara kanë shkaktuar mjaft dëme për Kosovën në dialog dhe tani nuk mund të presim që me një apo dy takime të ketë mrekulli nga ana e kryeministrit Kurti dhe delegacionit të Kosovës. Ata që japin kritika ose nuk kanë njohuri ose e xhelozojnë zotin Kurti për shkak të paraqitjeve të tij dinjitoze në raport me Serbinë”, tha ai.

Dugolli thotë se edhe kundërshtarët politikë jashtë kamerave televizive e pranojnë se Kurti është duke pasur paraqitje dinjitoze në përballje me Serbinë.

“Ne kemi një lider që njeh historinë e popullit të vet dhe historinë e fqinjëve. Të tjerët janë ndjerë inferior për të përmendur këto tema”.

Ish-ministri i Tregtisë thotë se Kurti ka sjellë ndryshim në procesin e dialogut, pasi sipas tij të tjerët vetëm kanë pritur propozime dhe asnjëherë nuk kanë ofruar ndonjë platformë.