E pavarësoi BIK-un, ia fali xhenazen Presidentit Rugova e ambasador në Riad, kush ishte myftiu Rexhep Boja?

Vdiq sot

Në moshën 75 vjeçare ka ndërruar jetë Rexhep Boja, ish-udhëheqës i Bashkësisë Islame e ish-ambasador i Kosovës në Riad të Arabisë Saudite. Në ditën e vdekjes, për të u thanë fjalë të mëdha e u ndan shumë kujtime nga bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm. Por kush ishte tanimë i ndjeri Rexhep Boja?

Për 13 vite me radhë, Boja udhëhoqi institucionin më të rëndësishëm përfaqësues të myslimanëve të Kosovës, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Madje, ishte kontributi i tij i pashoq si myfti që bëri të pavarësohet Bashkësia Islame nga ajo e Jugosllavisë.

VIDEO:

Në dhjetor të vitit 1993, nën udhëheqjen e Bojës, BIK vendosi të shkëputej nga RIJASET-I i atëhershëm duke e shpallur mëvetësinë e saj.

Ai e udhëhoqi këtë institucion nga 1991 deri në vitin 2003, kur u largua e për t’u pasuar nga Naim Tërnava, i cili vazhdon të jetë edhe sot myfti i Kosovës.

Boja ishte ndër themeluesit e Fakultetit të Studimeve Islame dhe dekan i këtij fakulteti ndërmjet viteve 1992-2011.

Përveç kontributit të shquar fetar, Boja që ndërroi jetë si pasojë e një sulmi kardiak, do të mbahet mend edhe për angazhimin e tij kombëtar.

Ish-ambasadori i Kosvës në Riad, do të kujtohet si njëri nga klerikët fetarë që bëri punë të madhe në iniciativën për pajtimin e gjaqeve përgjatë fillim viteve të 90-ta.

Së bashku me shumë klerikë myslimanë e katolikë, Boja arriti të pajtojë dhjetëra familje shqiptare duke kontribuar në misionin fisnik që u nis nga profesori Anton Çetta, shkruan Reporteri.net.

Por, Broja pati edhe një kontribut të veçantë në organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në fillim vitet e 90-ta ishte lëvizja popullore e shqiptarëve të Kosovës.

Boja si myfti kishte dhënë për shfrytëzim objektin e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë për mbajtjen e Kuvendit të partë të LDK-së, që u organizua më 5 maj 1991 me pjesëmarrjen e mbi 276 delegatëve.

Ish-myftiu i Kosovës do të kujtohet si imami që e fali namazin e xhenazes ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Pas luftës, ai vazhdoi të udhëhiqte BIK-un deri në vitin 2003. Ndërkaq pas pavarësisë ai u angazhua në diplomacinë kosovarë.

Nga viti 2012 ishte ambasador i Kosovës në Arabinë Sauditë, ku ishte më parë edhe i ngarkuar me punë.

Ai është autor i dy librave të titulluar “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami – Myslimanët në ish-Jugosllavi”, botim në gjuhën arabe dhe “Për një të nesërme më të mirë”, në gjuhën shqipe.

Shumë politikanë e figura publike kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e ish-myftiut të parë të BIK-ut të pavarur.