EKSKLUZIVE: MPJ e Serbisë ia njeh statusin e veçantë diplomatik ECPD-së, aty ku diplomuan 15 kosovarë DOKUMENT

Universiteti i OKB-së

Në një media kosovare dhe në disa serbe, të cituara sot, është bërë temë diplomimi i 15 kosovarëve në Universitetin e Paqës së OKB-së, të njohur ndryshe si ECPD.

Duke cituar mediat serbe, portali koha raporton sot se disa shqiptarë nga Kosova kanë fituar disertacionet e doktoratës në Universitetin e Kragujevcit, pa qenë kurrë pjesë e këtij institucioni shkollor.

Portalet serbe si “blic.rs”, “objektiv.rs” e shumë të tjera kanë shkruar se dyshohet se janë ndarë 15 diploma për shqiptarët e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme.

Më shumë se kjo, për opinionin serb “tragjike” është se si këta studentë kanë doktoruar me tema që kanë të bëjnë me pavarësinë e Kosovës dhe proceset e integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian.

Sipas mediave, gjithë ky “proces” është bërë në bashkëpunim me rektorin e Universitetit të Kragujevcit, Nebojsha Arsenijeviq.

VIDEO:

“Deri më tash në diplomat që janë gjetur është nënshkrimi i Arsenijeviqit”, shkruan “objektiv.rs”.

Sipas mediave serbe, deri më tash janë identifikuar 15 doktorantë shqiptarë të dalë nga Universiteti i Kragujevcit. Për një është hasur edhe fizikisht në diplomë, derisa diplomat tjera janë gjetur në folderë të ndryshëm të kompjuterëve të universitetit.

Tashmë disa nga të përmendurit në këto shkrime të mediave serbe e kanë mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk e kanë idenë se si kanë rrjedh këto diploma në Serbi, pasi që ata studimet i kanë përfunduar në Shkup.

Cila është e vërteta?

Për të çmontuar këtë propagandë të mediave serbe, Ballkani.info e ka siguruar ekskluzivisht një dokument të vitit 2019. Ky dokument zyrtar i vitit 2019 është nota verbale e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë drejtuar ECPD të Universitetit të Paqes së OKB-së.

Në këtë dokument tregohet qartë statusi i veçantë diplomatik si dhe të drejtën e institucionit që të veprojë dhe të lëshojë diploma. Një status të ngjashëm, bazuar në parimin e suksesionit nga ish RSFJ, ky institucion ka edhe në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut.

Çdo diplomë e lëshuar në Serbi, pavarësisht institucionit, nuk njihet në Kosovë që nga viti 2009, dhe ky fakt njihet botërisht. Ngelet e paqartë pse këta individë, disa prej tyre figura të respektuara në Kosovë, po etiketohen kështu nga mediat tablloid të Serbisë.

ECPD një filiale të tillë sikur në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, dikur e kishte edhe në Kosovë, respektivisht në Prishtinë.

Arsenijeviq në kohën kur janë lëshuar këto diploma, ishte rektor në Universitetin e Kragujevcit dhe dekan në ECPD. Përmendet viti 2016 kur janë lëshuar më së shumti diploma.

“Studentët shqiptarë me mjeshtri e shmangim emrin e universitetit të Kragujevcit në CV-të e tyre, e përmendin vetëm Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim”, shkruan “objektiv.rs”.

Sekretari gjeneral i universitetit të Kragujevcit, Marko Llukiq, thotë se janë në procedurë të hetimit 15 disertacione të doktoratës të studentëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që i kanë fituar ato pa qenë të regjistruar programet studimore. Llukiq në një deklaratë për servizin publik serb “RTS” tha se të gjitha dokumentet në lidhje me diplomat e dyshimta, i janë dorëzuar Policisë së Serbisë.

Personat nga Kosova, që kanë fituar disertacionet e doktoratës në Universitetin e Kragujevcit, sipas mediave serbe, janë Raif Ramabaja, Bashkim Arifi, Enes Sadovica, Fadil Krasniqi,. Hashim Çollaku, Ilaz Duli, Ilir Rodiqi, Muhamed Disha, Nuhi Sela, Osman Ejupi, Safet Hoxha, Shukrie Rama, Vehebi Sofiu, Veli Lecaj dhe Vjollca Visoka-Hasani.

Flet njëri nga të përmendurit në mediat serbe

“Asnjëherë prej vitit 1997 nuk kam qenë as nuk kam kryer kurrfarë doktoraturë atje”. Kështu shprehet Ilaz Duli i pyetur për lajmin e publikuar nga mediet serbe, të cilat shkruajnë shqiptarët e Kosovës morën disertacione doktorature në Universitetin e Kragujevcit dhe sipas të dhënave jozyrtare nga Ministria e Brendshme të Serbisë, ata as që qëndruan në Serbi në atë kohë. Ilaz Duli është njëri nga personat që raportohet se ka marrë doktoraturën në këtë universitet.

“Unë asnjëherë prej vitit 1997 nuk kam qenë as nuk kam kryer kurrfarë doktoraturë atje. Unë e kam kryer doktoratën e Universitetin Evropian për Paqe dhe Zhvillim në Prishtinë”, tha Duli për Telegrafin.

Duli shtoi se “ai universitet është akredituar në 2006 në Ministrinë e Arsimit, ndërkaq kur e kishte kryer ai doktoraturën kishin dalë disa mosmarrëveshje.

“Atëherë ky universitet i ka degët në gjitha ish-Jugosllavinë dhe kur nuk kanë mundur të akreditohen këtu, atëherë e kam marr në të njëjtin Universitet në Shkup të Maqedonisë”, tha Duli për Telegrafin.

Duli theksoi se doktorata e tij është e e vërtetuar në Ministri të Arsimit e në Gjykatë.

“Është Universiteti Evropian për Paqe dhe Zhvillim në Shkup, është e nostrifikuar në Maqedoni të Veriut, në Ministri të Arsimit, në Gjykatë, gjithçka në rregull është e kam edhe në gjuhën angleze, edhe në gjuhën maqedonase”, theksoi Duli.

Në këto raportime përmendet edhe Safet Hoxha, aktualisht gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. /Ballkani.info/