Federata Evropiane e Gazetarëve i reagon Ramës pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës t’i bënin pyetje Merkelit

Federata Evropiane e Gazetarëve

Federata Evropiane e Gazetarëve i ka reaguar kryeministrit Edi Rama pasi nuk i lejoi gazetarët e Kosovës që t’i bënin pyetje kancelares Angela Merkel.

Përmes një postimi në Twitter, Sekretari Gjeneral i kësaj organizate e ka quajtur të turpshëm veprimin e Ramës.

VIDEO:

“Turp për kryeministrin Edi Rama, i cili me qëllim i injoroi pyetjen e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve dënon këtë skandaloze”, ka shkruar ai.

Gazetarët nga Kosova nuk janë lejuar që të bëjnë pyetje në konferencën e përbashkët të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Për këtë ka njoftuar gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, në një postim në Facebook

Sipas tij, në konferencë kanë qenë gazetarët e gjashtë mediave nga Kosova dhe për 40 minuta kanë kërkuar fjalën për t’i bërë pyetje kancelares Merkel, por që thotë se një gjë e tillë nuk iu është lejuar.

Tutje, ai ka treguar se pyetjet e tyre kanë qenë rreth Kosovës, marrëveshjes përfundimtare, dialogut, liberalizimit të vizave dhe Open Ballkan.

“Në këtë video është dora ime, dhe e dy kolegëve të tjerë nga mediat kosovare. E kërkuam fjalën që nga fillimi i konferencës mes Kancelares Angela Merkel e Edi Rama. Ishte e kot, as pas 40 minutave të konferencës nuk na u dha fjala, të 6 mediave nga Kosova (sa ishim prezente e të akredituara) që t’i bëjmë ndonjë pyetje kancelares gjermane. Sigurisht temë kyqe e jona ishte Kosova, Serbia, marrëveshja përfundimtare, dialogu, liberalizimi, Open Ballkan etj”, ka shkruar Reçica.