FSK merr pjesë në stërvitjet ushtarake “Defender-Europa 21” të NATO-s në Durrës

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se Kosova për herë të parë do të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake më të madhe në rajon,“Defender-Europa 21”, e cila do të mbahet në Durrës, përcjell Insajderi.

Kosova do të jetë pjesëmarrëse në mesin e 27 shteteve nga bota.

VIDEO:

“’DEFENDER-Europe 21’ është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin mes ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë. Me këtë rast, ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç ‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s do të zbarkojnë në Kosovë, në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtarë të forcave nga Komanda Evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s.

“Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në ‘Baba i Bokës’ në komunën e Gjakovës”.

Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.

“Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj së bashku me komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant  Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, më 6 maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30”, thuhet në njoftimin e ministrisë./Insajderi.com