Gjashtë ndeshje si mysafir pa humbje dhe pa pësuar gol – statistika e Shqipërisë i bie në sy edhe UEFA-s

Shqipëria triumfoi me shifrat 0-2 ndaj San Marinos si mysafir, por kritikat për paraqitjen e kuqezinjve ishin të shumta, pasi skuadra vuajti jo pak deri në momentin që zhbllokoi rezultatin me golin e Rey Manajt.

Triumfi i çon kuqezinjtë në vendin e tretë me 6 pikë, një më pak se Hungaria e tre më pak se Anglia kryesuese e grupit eliminator, megjithatë suksesi në San Marino pati një vlerë tjetër statistikore për Kombëtaren Shqiptare.

Kjo pasi skuadra e drejtuar nga Edy Reja nuk humb si mysafir prej 6 ndeshjesh radhazi dhe për më tepër, në të 6 këto sfida nuk ka pësuar asnjë gol.

VIDEO:

Humbja e fundit si mysafir për kuqezinjtë, daton më 11 tetor të 2019-ës me rezultatin 1-0 në Turqi, ku u ndëshkuam nga një gol i Cenk Tosun në minutën e 90’.

Kjo ecuri pozitive e kuqezinjve si mysafir i ka rënë në sy edhe UEFA-s që në faqen e saj zyrtare ka shkruar për këtë rekord të Shqipërisë.

Vlen të theksohet se të 6 këto përballje kanë qenë me kundërshtarë që pozicionohen poshtë Shqipërisë në renditjen e FIFA-s.

Shqipëria ka mposhtur Moldavinë (0-4), Bjellorusinë (0-2), pastaj dy barazime pa gola në Ligën e Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë, si dhe dy fitoret e fundit 0-1 ndaj Andorrës dhe 0-2 ndaj San Marinos. /Telegrafi/

The post Gjashtë ndeshje si mysafir pa humbje dhe pa pësuar gol – statistika e Shqipërisë i bie në sy edhe UEFA-s appeared first on Telegrafi.